Përfaqësuesja e Kosovës do të rikthehet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për takimin me Izraelin në Ligën e Kombeve. Pas përfundimit të rikuperimit, fusha është në gjendje të mirë dhe e gatshme të presë sërish Dardanët.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e njoftoi këtë në faqen e saj zyrtare, ku publikoi edhe fotografi që paraqesin gjendjen e fushës.
Të lidhura
None found
Në njoftimin e FFK-së bëhet e ditur se përballja Kosovë-Izrael është caktuar për më 14 nëntor, në orën 15:00. Për Dardanët, ky do të jetë takimi i fundit në shtëpi gjatë këtij viti.
Gatishmëria e fushës vjen përpara një sfide me rëndësi për Kosovën, e cila synon që, me mbështetjen e tifozëve të saj, të sigurojë një rezultat pozitiv në fushën vendase.
Më pas, të drejtuarit e Franco Fodës do të udhëtojnë në Dublin për t’u përballur me Irlandën, takim me të cilin do të mbyllin këtë cikël të Ligës së Kombeve.







