Instituti i Ndërtimit dorëzoi raportin paraprak të vlerësimit të pallatit të shkatërruar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Elbasan, më 4 nëntor, me dy viktima.
Nisur nga rreziku shumë i madh i shembjes së pjesëve të ndryshme të ndërtesës, ekspertët kërkojnë ndalimin e përdorimit të godinës.
Deri në përfundimin e akt-ekspertizës së thelluar dhe përcaktimin e nivelit të sigurisë konstruktive të objektit, rekomandohet ndalimi i përdorimit të godinës e kufizimi i aksesit në të, si dhe marrja e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së banorëve dhe personave përreth, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse.
Ekspertët thonë se objekti pësoi dëmtime të konsiderueshme, si pasojë e shpërthimit dhe zjarrit, që i prekën elementë konstruktivë e jokonstruktivë.
Soleta e katit të 5-të, mbi zonën ku ndodhi shpërthimi, rrezikon shembjen nga momenti në moment.
Gjendja e konstatuar paraqet rrezik potencial për sigurinë e banorëve e të personave që mund të qëndrojnë brenda ose pranë objektit.
Instituti i Ndërtimit rekomandon përcaktimin dhe zbatimin e një perimetri sigurie nga 20 m në 30 m, si dhe marrjen e masave për shmangien e rënies së elementëve të dëmtuar.
Aktualisht po kryhen akt-ekspertizat e thelluara, që përfshijnë investigimet konstruktive, testimet laboratorike të materialeve e analizat përkatëse për vlerësimin e aftësisë mbajtëse dhe qëndrueshmërisë së objektit.