Pedagogia Ilirjana Kuçana i ka drejtuar një ftesë publike ish-ministres së Jashtme dhe njëherazi deputetes së PS, Elisa Spiropali, duke i kërkuar t’i bashkohet protestës studentore kundër qeverisë.

Në studion e “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, Kuçana iu referua edhe qëndrimeve të Spiropalit, duke i kërkuar asaj të tregojë me veprime nëse është kundër modelit të qeverisjes së Edi Ramës.

“Kam një ftesë për Elisa Spiropalin: Eja në protestë, siç bën Marjana Koçeku dhe është e mirëpritur, por edhe deputetë të tjerë të PS, nëse janë kundër modelit të Ramës, kundër modelit të diktatorit, të vijnë në shesh me studentët. Ke rastin të tregosh që nuk ke vetëm fjalë, se nuk bëhet opozita vetëm me statuse në Facebook dhe shkon e voton në rresht siç thotë Edi Rama”, u shpreh Kuçana.

Gjatë deklaratës, pedagogia duke iu drejtuar ish-ministres së Jashtme, shtoi: “E kemi parë si puçiste aty brenda (Në PS)”.

Kuçana e sfidoi ish-kryediplomaten që, sipas saj, të dëshmojë përmes pjesëmarrjes në protestë nëse qëndrimet e saj publike përputhen me veprimet politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb