Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Paraguait shkarkohet me votë unanime dhe vendoset në arrest shtëpie pas kolapsit të bankës, miliona qytetarë mbeten pa kursimet


Presidenti i Paraguait, Santiago Peña, është shkarkuar nga detyra dhe vendosur në arrest shtëpie, pas një krize të rëndë financiare të shkaktuar nga kolapsi i bankës Ueno.

Rënia e institucionit financiar, e cila ndodhi në fillim të kësaj jave, ka lënë më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit pa mundësi për të aksesuar llogaritë bankare, kursimet dhe pensionet e tyre.

Vendimi për shkarkimin e Peñës u mor të premten, kur 44 nga 45 senatorët votuan pro largimit të tij nga detyra, përfshirë edhe anëtarë të partisë së tij. Një senator mungoi në votim, sipas BBC.

Vetëm një ditë më parë, Peña kishte ofruar dorëheqjen, por Senati vendosi të mos e pranonte atë dhe të vijonte me procedurën e shkarkimit, duke e akuzuar për shkelje të detyrës. Pas këtij vendimi, atij iu hoq edhe imuniteti që zakonisht gëzojnë ish-presidentët.

Akuzat ndaj Peñës lidhen me konfliktin e interesit, ndërhyrjen në mbikëqyrjen rregullatore, devijimin e fondeve të pensioneve dhe përfshirjen në një përpjekje për të mbuluar përgjegjësitë institucionale në bashkëpunim me Bankën Qendrore.

Presidenti, i cili deri vitin e kaluar zotëronte aksione në kompaninë që kishte në pronësi bankën Ueno, i ka mohuar të gjitha shkeljet. Prokurorja Silvia Margarita Gonzalez Vester bëri të ditur se ai pritet të merret në pyetje të shtunën për akuzat e shpërdorimit të besimit, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe përvetësimit të fondeve.

Pas shkarkimit të tij, zëvendëspresidenti Pedro Alliana është betuar si president i përkohshëm dhe do të qëndrojë në këtë detyrë deri në vitin 2028. Ai premtoi se qytetarët e prekur nga kolapsi financiar nuk do të braktisen.

“Bashkëqytetarët që po kalojnë një periudhë të vështirë si pasojë e kolapsit financiar do të kompensohen plotësisht”, deklaroi Alliana.

Kriza ka shkaktuar zemërim të madh në vend. Pas sekuestrimit të bankës nga Banka Qendrore e Paraguait, rreth tre milionë depozitues kanë mbetur pa mundësi të tërheqin kursimet dhe pensionet e tyre.

Në kryeqytetin Asunción, radhë të gjata qytetarësh u krijuan përpara degëve të bankës, ndërsa mijëra persona dolën në protesta të enjten në disa qytete, duke kërkuar kthimin e parave të tyre.

Disa prej protestave të mëparshme u shoqëruan me përplasje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat.

Pas dorëheqjes së njoftuar në një video të publikuar në rrjetin social X, Peña deklaroi se nuk kishte pasur kurrë qëllim të tradhtonte besimin e qytetarëve. Ai tha se përparësia e tij mbetej “qetësia shpirtërore e paraguajanëve që i besuan kursimet e tyre sistemit tonë financiar”.

Ndërkohë, kryetari i Senatit, Basilio Núñez, deklaroi se ish-presidenti ishte shpallur fajtor për neglizhencë në përmbushjen e detyrës.

Senatori Rafael Filizzola e cilësoi ngjarjen si “skandalin më të madh të korrupsionit në historinë tonë demokratike”, duke theksuar se ajo përbën një goditje të rëndë për shtetin, qytetarët dhe imazhin ndërkombëtar të vendit. Analistët parashikojnë se Peña mund të përballet tashmë me ndjekje penale për kolapsin e bankës.

Megjithatë, avokati i tij mbrojtës, Ricardo Preda, i ka cilësuar akuzat si “të pamatura, të papërgjegjshme dhe oportuniste”.