E shtunë, 7 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga resorti luksoz te vila 1 milion euroshe në Dhërmi, SPAK i merr pasuritë organizatës Çopja
Lajme

Nga resorti luksoz te vila 1 milion euroshe në Dhërmi, SPAK i merr pasuritë organizatës Çopja

Resorti luksoz “Ajman Park” në Xhafzotaj, agroturizmi “Solis Farm” në Baldushk dhe një vilë me vlerë rreth 1 milion euro në Dhërmi janë vetëm disa nga pasuritë që kanë përfunduar nën sekuestro në kuadër të hetimeve të SPAK ndaj organizatës kriminale të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela.

Lista e aseteve të goditura nga hetimi është e gjatë dhe përfshin prona të paluajtshme, kompani, automjete luksoze dhe para cash. Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara përllogaritet në rreth 9 milionë euro, ndërsa autoritetet po hetojnë lidhjen e tyre të dyshuar me aktivitetin e trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Në fokus të hetimit janë disa investime të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme dhe biznese, të cilat dyshohet se janë përdorur për të investuar ose fshehur të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal.

25 automjete dhe resorti luksoz në Durrës

Në emër të Franc Çopjas është vendosur sekuestro mbi të gjitha kuotat e kompanisë “Check Company”, si dhe 25 automjete që zotërohen prej saj. Sipas vlerësimeve të kryera gjatë hetimeve, flota e automjeteve kap një vlerë rreth 70 milionë lekë.

Një tjetër pasuri me vlerë të konsiderueshme është resorti “Ajman Park”, në Xhafzotaj të Durrësit, i cili i është sekuestruar Fadil Ballës. Ekspertimi ka evidentuar se në këtë kompleks janë investuar rreth 463 milionë lekë.

Në listën e aseteve të goditura përfshihet edhe një vilë dykatëshe në kompleksin rezidencial “Ionian Olea”, në Dhërmi. Prona luksoze vlerësohet në treg rreth 1 milion euro.

Prona në Sharrë dhe investimet e Albin e Riza Çelës

Hetimi ka prekur edhe pasuritë e Albin Çelës, të cilit i janë sekuestruar gjashtë prona në zonën e Sharrës, në Tiranë.

Në mesin e tyre janë sipërfaqe ku janë ndërtuar kapanone industriale dhe godina të përdorura për veprimtari tregtare. Po ashtu, nën sekuestro ka përfunduar edhe një vilë e porositur pranë kompanisë “NG Structures”.

Ndërkohë, Riza Çelës i është sekuestruar një sipërfaqe toke bujqësore prej 5.900 metrash katrorë.

Nga ekspertimet financiare rezulton se Albin dhe Riza Çela kanë shpenzuar mbi 50 milionë lekë për blerjen e tokave, ndërsa ndërtimi i katër objekteve mbi këto prona ka kushtuar më shumë se 1,2 milionë euro.

“Solis Farm”, dy prona dhe 130 mijë euro cash

Një tjetër investim që ka përfunduar nën sekuestro është agroturizmi “Solis Farm”, në zonën e Mumajesit, në Baldushk.

SPAK ka vendosur sekuestro mbi të gjitha kuotat e biznesit, dy prona dhe godinën e restorantit, duke përfshirë edhe pajisjet e orenditë që ndodhen brenda ambienteve të tij.

Përveç këtyre aseteve, në kuadër të hetimit janë sekuestruar edhe 130 mijë euro para cash, automjete të tjera dhe sende me vlerë.

Në total, pasuritë e vendosura nën sekuestro arrijnë në rreth 9 milionë euro. Nga resortet dhe agroturizmi, te vilat luksoze, tokat dhe kompanitë, hetimi i SPAK po synon të zbardhë mënyrën se si janë krijuar këto pasuri dhe nëse ato burojnë nga aktiviteti i dyshuar kriminal i organizatës Çopja-Çela.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.