Skandali me mbetjet e rrezikshme në Elbasan/ Prokuroria sekuestron mbi 300 tonë pluhur nga uzina e Albchrome

Skandali me mbetjet e rrezikshme në Elbasan/ Prokuroria sekuestron mbi 300 tonë pluhur nga uzina e Albchrome

10:35, 07/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar mbi 300 tonë pluhur të përftuar nga aktiviteti i Uzinës së Ferrokromit, në pronësi të kompanisë koncesionare Albchrome. Bëhet fjalë për mbetje të kapura nga sistemi i pluhurkapëseve, të cilat, sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), janë cilësuar si shumë të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.

Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë së Elbasanit, sasia prej mbi 300 tonësh është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, pasi konsiderohet e domosdoshme për vërtetimin e fakteve që janë objekt i hetimit penal. Për shkak të natyrës dhe sasisë së madhe të materialit, prokurorët kanë vendosur që mbetjet të qëndrojnë në ruajtje pranë vetë subjektit Albchrome sh.p.k., i cili ka detyrimin t'i ruajë dhe t'i paraqesë ato sa herë të kërkohen nga organi procedues.

Skandali me mbetjet e rrezikshme u zbulua më 28 maj, kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pezulloi aktivitetin e Albchrome, pasi evidentoi 318 tonë mbetje të rrezikshme, të depozituara pa asnjë kusht sigurie. Gjatë kontrolleve u konstatua se kompania nuk dispononte asnjë kontratë për transferimin, evadimin, asgjësimin apo përpunimin e këtyre mbetjeve.

Ndërkohë, pak ditë më parë, edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmoi rrezikshmërinë e lartë të këtij materiali. Tashmë, sasia e sekuestruar nga Prokuroria do të shërbejë si provë në hetimin penal për skandalin e mbetjeve të rrezikshme në uzinën e Ferrokromit në Elbasan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco