Ekonomia e pakënaqësive, që nuk i shuan dot paketa e Robin Hudit

Në përpjekje për të kënaqur të pakënaqurit, qeveria mund të arrijë rezultatin e kundërt, atë të një ekonomie ku, në fund, të gjithë janë edhe më të pakënaqur. Kur taktikat e Robin Hudit të “ngritjes së pritës” referohen qoftë edhe si nofka për “nxjerrjen në pritën e paketës fiskale” të aktorëve ekonomikë, atëherë kemi ligjëruar që një Robin Hud të dalë edhe për të ngritur prita për të korruptuarit e këtij vendi.
Editorial / Ekonomisti Albert Hirschman e ka shpjeguar pakënaqësinë që krijon zhvillimi i pabarabartë me një krahasim të thjeshtë: dy korsi makinash të bllokuara në një tunel. Kur njëra korsi nis të lëvizë, drejtuesit e makinave në korsinë tjetër fillimisht gëzohen, me shpresën se shpejt do të vijë edhe radha e tyre. Por nëse makinat përbri vazhdojnë të ecin, ndërsa ata mbeten në vend, shpresa kthehet në zemërim.
Shqipëria duket se ka hyrë pikërisht në këtë fazë. Ekonomia është rritur, investimet janë shtuar, qytetet janë transformuar, por gjithnjë e më shumë shqiptarë ndihen sikur kanë mbetur në korsinë që nuk lëviz.
Që nga viti 2000, kur “Monitor” nisi të botohej si revistë biznesi, në një Shqipëri me ekonomi shumë më pak të zhvilluar sesa sot, nuk kemi parë asnjëherë një valë kaq të gjerë pakënaqësish, si nga individët ashtu dhe nga bizneset, si në daljet në media, ashtu dhe deklaratat zyrtare.
Paketa e re Fiskale për vitin 2027 arriti të bëjë diçka që rrallë ndodh në Shqipëri: bashkoi në kundërshtim pothuajse të gjitha organizatat e biznesit. Nga përfaqësuesit e sipërmarrjeve të vogla te kompanitë e mëdha, nga prodhuesit e eksportuesit te turizmi, profesionistët e lirë dhe investitorët e huaj, reagimi ishte pothuajse unanim.
Përtej kundërshtimit të rritjes së taksave, shqetësimet ishin parimore: mungesa e konsultimit të kuptimtë e gjatë një kohe të arsyeshme, ndryshimet e papritura të rregullave, pothuaj brenda natës në këtë rast, paqëndrueshmëria dhe pasiguria për planet e investimit dhe mungesa e analizave të ndikimit dhe pasojave në konkurrueshmëri.
Bizneset kërkojnë të dinë jo vetëm sa do të paguajnë, por edhe cilat do të jenë rregullat e lojës nesër, teksa ata punojnë me plane afatgjatë biznesi.
Rasti i tatimit mbi fitimin dhe mbi dividendin ishte ndoshta ilustrimi më i qartë i kësaj pasigurie. Tatimi i fitimit fillimisht u deklarua 17% dhe më pas u rikthye në 15%.
Ndërsa brenda pak ditësh, Ministria e Financave dha tri versione për mënyrën e zbatimit të normës së propozuar prej 15%: fillimisht do të prekte edhe fitimet e mëparshme të shpërndara pas 1 janarit 2027, më pas u tha se fitimet e vitit 2026 do të ruheshin me normën 8%, për t’u rikthyer sërish te varianti i parë. Në një ekonomi ku investimet planifikohen për vite, qeveria nuk arriti të mbante të njëjtin interpretim as për disa ditë.
Zemërimi i bizneseve i shtohet një vale shumë më të gjerë pakënaqësie qytetare. Prej muajsh, shqiptarët po dalin në protesta kundër korrupsionit, rritjes së kostos së jetesës, keqadministrimit të pasurive natyrore dhe modelit të zhvillimit që po transformon qytetet e bregdetin.
Protestat kanë përfshirë sidomos të rinjtë, duke e kthyer pakënaqësinë në një shqetësim për mënyrën se si po qeveriset dhe po zhvillohet vendi.
Që shqiptarët nuk janë të kënaqur me cilësinë e jetës, dihej prej kohësh. Raporti Botëror i Lumturisë 2026 e renditi Shqipërinë në vendin e 86-të mes 147 vendeve, të parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë. Vlerësimi i ulët lidhet veçanërisht me perceptimin e korrupsionit dhe mungesën e mbështetjes sociale.
Përballë kësaj atmosfere, qeveria ka propozuar një paketë fiskale që, jozyrtarisht, po quhet nga zyrtarët paketa e “Robin Hudit”: ulje të TVSH-së për disa produkte ushqimore bazë dhe të taksës së qarkullimit mbi naftën, ndërsa në anën tjetër, rritje të barrës fiskale për bizneset.
Synimi i deklaruar është lehtësimi i kostos së jetesës, dhe zbutja e pakënaqësisë së masës së gjerë të protestuesve që kanë mbushur rrugët prej muajsh, por mënyra e zgjedhur për ta realizuar ngre pikëpyetje.
Sepse nuk ka analiza të qarta, përveç disa vlerësimeve në total të izoluara nga ndërthurjet e ndikimit të ndryshimeve të fundit, që të kuptohet realisht kahu dhe masa e transmetimit në ekonomi dhe në segmentet që targetohen: familje, biznes, familje me të ardhura më të ulëta etj.
Sepse ekonomia nuk funksionon me dy grupe të ndara, ku njëra palë fiton dhe tjetra humbet. Biznesi që fiton investon, zgjeron aktivitetin, punëson dhe paguan paga.
Kur kostot dhe taksat rriten, mundësitë për investime e punësim ngushtohen, ndërsa një pjesë e barrës mund të transferohet në çmimet që paguajnë po ata qytetarë që qeveria synon të ndihmojë. Në fund, më pak investime dhe më pak të ardhura të disponueshme nënkuptojnë edhe më pak konsum.
Për më tepër, nuk është vetëm niveli i taksave që i shqetëson sipërmarrjet. Është fakti se ato mund të ndryshojnë brenda natës, pa kohë për përshtatje dhe pa siguri se çfarë i pret vitin e ardhshëm. Ekonomia ka nevojë për besim dhe parashikueshmëri, jo vetëm për ndryshime normash tatimore. Mungesa e parashikueshmërisë dhe e konsultimit është gjithashtu një dështim në qeverisje.
Robin Hudi i legjendës ua merrte të pasurve për t’ua dhënë të varfërve. Por ky ishte mekanizëm veprimi në ekonominë feudale ku integrimi mes faktorëve dhe aktorëve ekonomikë ishte i pakët dhe me distancë. Por në ekonominë e tregut dhe në realitetin ekonomik të epokës së teknologjisë së informacionit, të pasurit, bizneset, punonjësit dhe konsumatorët janë të lidhur me njëri-tjetrin.
Nëse godet ata që krijojnë vende pune dhe prodhojnë të ardhura, rrezikon që në fund të kesh më pak për të shpërndarë. Edhe vetë termi Robin Hud, ndoshta nuk shkon. Uljet e TVSH-së shpesh nuk kalojnë plotësisht në çmime, sidomos në tregje me konkurrencë të dobët si tek ne.
Edhe ulja e taksës së qarkullimit mbi naftën favorizon ata që konsumojnë më shumë karburant, jo më të varfrit. Për hir të së vërtetës në modelin europian dhe atë perëndimor në përgjithësi ka elementë të qenësishëm të shtetit social e që shprehen direkt si pjesë e pagës për punonjësit apo, niveli i pagës minimale dhe minimum jetik që e ulin mjaft nevojën e një Robin Hudi mesjetar.
Dhe kështu, në përpjekje për të kënaqur të pakënaqurit, qeveria mund të arrijë rezultatin e kundërt, atë të një ekonomie ku, në fund, të gjithë janë edhe më të pakënaqur.
Kur taktikat e Robin Hudit të “ngritjes së pritës” referohen qoftë edhe si nofka për “nxjerrjen në pritën e paketës fiskale” të aktorëve ekonomikë, atëherë kemi ligjëruar që një Robin Hud të dalë edhe për të ngritur prita për të korruptuarit e këtij vendi.
Dhe ajo që është më e rëndësishmja, personazhi që teorikisht duhet t’ua marrë paratë të pasurve dhe t’ua shpërndajë të varfërve, nuk jep as shumë shpresë për këtë shtresë, se do t’u kapë gjë dhëmbi në vitet që vijnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









