Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër grup të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, në kuadër të operacionit të koduar “Polinomi 2”.
Pas katër muajsh hetime me metoda proaktive, janë arrestuar dy vëllezër, 49 dhe 57 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim djali 24-vjeçar i këtij të fundit. Sipas Policisë, të tre dyshohet se janë pjesëtarë të grupit kriminal të goditur disa ditë më parë gjatë operacionit “Polinomi”.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, shërbimet e Policisë sekuestruan rreth 77 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pistoletë me krehër me fishekë, një pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe armë gjahu, si dhe sende të tjera që dyshohet se përdoreshin për veprimtarinë kriminale.
Në banesën e 49-vjeçarit, Gj. Sh., në fshatin Abat, u gjetën 10 kilogramë kanabis. Ndërsa në banesën e 57-vjeçarit, K. Sh., në fshatin Grudë e Re, u sekuestruan rreth 66.8 kilogramë kanabis, të ndara në thasë, një pistoletë me municion, një pushkë pneumatike, municione për armë zjarri dhe armë gjahu, aksesorë armësh dhe një shkop metalik.
Gjatë kontrollit u gjetën gjithashtu dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe tri pajisje optike, konkretisht dy kamera dhe një monokular.
Në pranga ranë Gj. Sh., 49 vjeç, banues në Abat, dhe K. Sh., 57 vjeç, banues në Grudë të Re. Ndërkohë, policia vijon kërkimet për kapjen e djalit 24-vjeçar të këtij të fundit.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.





