Një 72-vjeçar nga Zelanda e Re ka përshkuar plot 330 kilometra me biçikletë për të votuar personalisht, pasi nuk arriti të kryente procesin përmes internetit. Doug Habgood, i cili ndodhet në një udhëtim njëjavor me biçikletë në Australi, vendosi të mos hiqte dorë nga votimi, pavarësisht distancës së gjatë që e ndante nga qendra më e afërt e votimit.
Habgood ndodhej në qytetin rural të Narranderës, kur provoi të votonte online, por e cilësoi sistemin si të ndërlikuar. Për këtë arsye, gjysmë i pensionuari nga Nelson vendosi të udhëtonte deri në Canberra, ku ndodhet qendra më e afërt e votimit.
Udhëtimi zgjati tetë ditë dhe ishte një sfidë e vërtetë fizike. Gjatë rrugës, 72-vjeçari u përball me kodra të pjerrëta, miza bezdisëse dhe vështirësi në furnizimin me ushqime, duke u mbështetur kryesisht te çokollatat dhe portokallet që kishte marrë me vete.
Kur mbërriti të martën në Komisionin e Lartë të Zelandës së Re në Canberra, ai arriti të votonte personalisht, duke e përshkruar momentin si një ndjesi jashtëzakonisht të mirë.
Në një prononcim për BBC-në, Habgood tha se shpreson që historia e tij të shërbejë si frymëzim për të tjerët që hezitojnë të votojnë për shkak të vështirësive apo procedurave.
“Unë e kam bërë detyrën time qytetare dhe nëse mendoni se është shumë e ndërlikuar ose shumë e mundimshme të votoni, atëherë shembulli im mund t’ju ndihmojë”, u shpreh 72-vjeçari.