Presidenti rus, Vladimir Putin, ka konfirmuar se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës për luftën në vazhdim pritet të nisë të martën e ardhshme në Abu Dabi.

Gjatë një takimi me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Putin ka thënë se ka ftuar përfaqësuesit e delegacionit rus që pritet të udhëtojnë drejt Abu Dabit, kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, për bisedimet.


Në takimin e Këshillit të Sigurimit kanë marrë pjesë Vladimir Medinsky, Igor Kostyukov, Yuri Ushakov, Mikhail Galuzin dhe Sergei Ryabkov, raportoi Tass.

“Duke qenë se negociatat pritet të zhvillohen të martën, i ftova kolegët që do të marrin pjesë në këto bisedime”, ka thënë Putin.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, kishte thënë më herët se palët synojnë të diskutojnë garancitë e sigurisë, uljen e tensioneve, çështjet humanitare dhe hapat e mëtejshëm drejt një zgjidhjeje paqësore. /AA/