SHBA paraqet plan për sigurinë evropiane në prag të bisedimeve për Ukrainën, Trump: Marrëveshja e re do të përfshijë gjithë Evropën

Shtetet e Bashkuara po shtyjnë përpara një plan të ri për sigurinë evropiane, i cili synon të krijojë një arkitekturë më të gjerë sigurie, duke përfshirë jo vetëm Ukrainën, por edhe vendet e tjera të Evropës.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se marrëveshja e re mund të ketë një shtrirje të gjerë, pas takimit të së enjtes me Kirill Dmitriev, drejtuesin e Fondit Rus të Investimeve Direkte dhe të dërguarin e presidentit rus Vladimir Putin.
“Do të jetë shumë e madhe. Do të përfshijë më shumë se Ukrainën, madje mund të them se mund të përfshijë gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe e bukur, dhe të gjithë do të jenë të entuziazmuar”, deklaroi Trump për gazetarët, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e propozimit.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Trump, njëherësh i dërguari i tij për bisedimet, i cili theksoi nevojën për një arkitekturë më të gjerë të sigurisë evropiane. Sipas tij, një marrëveshje e tillë duhet të adresojë shqetësimet e sigurisë të të gjitha palëve, të reduktojë rrezikun e konflikteve të ardhshme dhe të krijojë një mjedis më të qëndrueshëm.
Kushner përmendi gjithashtu transparencën më të madhe ushtarake dhe masat reciproke për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve mes Rusisë dhe Evropës.
Nga ana tjetër, NATO ka konfirmuar zhvillimin e bisedimeve në Bruksel mes përfaqësuesve të SHBA-së, Ukrainës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, me synimin për të avancuar drejt një përfundimi të drejtë dhe të qëndrueshëm të luftës në Ukrainë.
Këto diskutime u zhvilluan përpara takimit të planifikuar trepalësh mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi javën e ardhshme.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, lufta në Ukrainë vijon, ndërsa Moska mban kërkesat e saj për kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit, kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase dhe heqjen dorë të Kievit nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO. Kievi i ka kundërshtuar këto kërkesa, duke i konsideruar të papranueshme për një marrëveshje paqeje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




