Shtatë nxënëse të shkollës së bashkuar “Hajredin Beqari” në Selenicë kanë denoncuar në polici mësuesin e edukimit fizik, duke e akuzuar për ngacmime seksuale në ambientet e shkollës. Pas kallëzimit, Policia e Vlorës ka shoqëruar 35-vjeçarin Albano Ameti, i cili prej rreth dy muajsh ishte pjesë e stafit pedagogjik të këtij institucioni.

Nxënëset që kanë denoncuar rastin janë të moshave 14 deri në 17 vjeçe. Ndërkohë, gjatë një vëzhgimi në terren në Selenicë, nxënës të tjerë të shkollës kanë treguar se kishin dëgjuar për pretendimet e ngritura ndaj mësuesit. Disa prej tyre kanë bërë me dije se janë paraqitur në ambientet e Policisë së Vlorës, ku janë marrë në pyetje nga grupi hetimor.

Edhe prindër të nxënëseve kanë folur për pretendime mbi sjellje të papërshtatshme të mësuesit ndaj vajzave, përfshirë ngacmime verbale dhe prekje fizike.

“Ngacmonte vajzat. E kemi parë vetë, i ngacmonte me fjalë. U thoshte: ‘Hajde te lali zemra!’”, rrëfen një prej të miturve.

Ndërkohë, nëna e një prej vajzave të klasës, e cila thotë se e bija nuk ka qenë pjesë e rasteve të raportuara, pretendon se sjelljet e mësuesit kishin nisur që në muajt e parë të punës së tij.

“Kishte tre muaj që i bënte këto gjëra”, është shprehur ajo.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb