“Qëlloi veten me pistoletë”, zbardhet dëshmia e nënë e bir të 61-vjeçarit
Sadete dhe Gazmir Fiku, bashkëshortja dhe djali i Urim Fikut, të dy të akuzuar për vrasjen e tij, kanë mohuar përfshirjen në ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Godvi të Bulqizës. Përpara gjykatës, nënë e bir kanë mbrojtur të njëjtin version që kishin paraqitur edhe në deklarimet fillestare, duke pretenduar se 61-vjeçari ishte sulmuar nga një ari dhe se më pas kishte qëlluar veten me armë zjarri.
Sipas dëshmisë së tyre, Urim Fiku ishte shfaqur në banesë i mbuluar me gjak dhe me dëmtime të shumta në trup e në fytyrë. Ata kanë pretenduar se plagët ishin shkaktuar nga sulmi i një kafshe të egër.
Në vijim të këtij versioni, të dy kanë deklaruar se 61-vjeçari kishte hyrë në shtëpi, kishte marrë një pistoletë dhe kishte qëlluar veten në gjoks.
Sadetja pretendon se njoftoi ambulancën, djali thotë se ishte në punë
Bashkëshortja e viktimës ka deklaruar se, pas ngjarjes, kishte kontaktuar shërbimin e ambulancës për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Nga ana tjetër, Gazmir Fiku ka mohuar të ketë qenë në banesë në momentin kur ndodhi ngjarja. Ai ka pretenduar se ndodhej në vendin e tij të punës, pranë zyrave të OSHEE-së në Bulqizë.
Një tjetër element i përmendur në dëshminë e nënë e bir lidhet me zakonet e 61-vjeçarit. Sipas tyre, Urim Fiku vendoste shpesh leqe në pyll për të kapur kafshë të egra, kryesisht derra, duke lënë të kuptohet se mund të ishte përballur me një kafshë gjatë qëndrimit në zonën pyjore.
Ekspertizat pritet të përcaktojnë shkakun e vdekjes
Pavarësisht pretendimeve të të dyshuarve, dinamika e ngjarjes dhe shkaku i vdekjes së Urim Fikut mbeten për t’u sqaruar përmes hetimeve. Rezultatet e ekspertizës mjekoligjore dhe analizave të tjera shkencore konsiderohen të rëndësishme për të përcaktuar se si janë shkaktuar dëmtimet dhe në çfarë rrethanash ka humbur jetën 61-vjeçari.
Deri në përfundimin e këtyre verifikimeve, versioni i paraqitur nga Sadete dhe Gazmir Fiku mbetet pretendimi i tyre për ngjarjen.
Në përfundim të seancës gjyqësore, gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për të dy, të cilët do të qëndrojnë në paraburgim ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të vrasjes së Urim Fikut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



