Veliaj si “Diella” i thur lavde vetes nga qelia, nuk harron as Ramën

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.11.2026, 17:45

Në epokën ku teknologjia dhe politika bëhen bashkë, duket se edhe qelia e burgut mund të shndërrohet në një studio televizive ultramoderne. Erion Veliaj është shfaqur sërish në Facebook përmes një videoje të realizuar me inteligjencë artificiale – ku ndoshta, në mungesë të ekranit tradicional. Këtë herë, mes telasheve me drejtësinë, kryebashkiaku ka gjetur kohë të lajmërojë miratimin e projekteve për 15 çerdhe dhe kopshte të reja në Tiranë që kushedi se kur do të ndërtohen.

Por, si çdo prodhim i mirë kinematografik, edhe ky komunikim virtual nuk mund të linte pa një skenar dramatik. Nga paraburgimi, ku pretendon se mbahet prej 20 muajsh në mënyrë antikushtetuese dhe se është transferuar lart e poshtë pa dokumentacion, Veliaj nuk harron të japë edhe një "dorë kritike" për mënyrën se a po administrohet kryeqyteti. Sipas tij, ata që kanë drejtuar gjatë mungesës e kanë bërë Tiranën "çorbë", një shqetësim ky i madh për dikë që ndodhet pas hekurave por që ende ka kohë të mendojë për lëngun e Menaxhimit Vendor.

Mes akuzave, ankesave dhe dramës politike, kryebashkiaku gjen hapësirë për shifra marramendëse: me 15 projektet e reja, thotë se numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara ka kapur shifrën 130. Tani, detaji i vogël se sa prej tyre janë realisht godina funksionale me fëmijë brenda dhe sa janë thjesht vija blu në letër apo skica në kompjuter, është thjesht një hollësi burokratike që nuk ia vlen të prishë harmoninë e videove me AI.

Madje, retorika e tij ka kapur majat e epikës fantastiko-shkencore me deklaratën se: “Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!” Një premtim ky madhështor, i cili lë të kuptohet se nëse jetesa në Tokë bëhet e vështirë, Tirana mund të presë çerdhen e radhës direkt në orbitë, mjafton që inteligjenca artificiale të vazhdojë të filtrojë mesazhet nga qelia duke mos harruar t'i çojë një mesazh të koduar kryetarit të socialistëve.

Kështu, mes ankimeve se është flakur andej-këndej dhe projekteve që lulëzojnë më shpejt në rrjetet sociale sesa në terren, qytetarëve të Tiranës u mbetet vetëm të shijojnë shfaqjen digjitale dhe të presin me orë e me vite për të kuptuar se kur këto çerdhe virtuale do të transformohen në mure reale për fëmijët e tyre. Për fat të mirë, për ta bërë këtë nuk duhet ndonjë teknologji e lartë, por thjesht pak më shumë punë dhe pak më pak ekrane të zgjuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit