Portieri Jesus Owono i shkatërruar psikologjikisht: Nuk e di më as kush jam

Futbolli spanjoll po përjeton ditë të rënda pas vdekjes tragjike të sulmuesit Jesús de Miguel, i cili humbi jetën pas një përplasjeje të fortë me portierin e Andorrës, Jesús Owono, gjatë një ndeshjeje të kategorisë së dytë në Spanjë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, të cilat i referohen burimeve të cituara nga The Athletic, portieri 25-vjeçar po kalon një periudhë jashtëzakonisht të vështirë emocionale. Ai është izoluar në shtëpinë e tij në Andorra dhe po përpiqet të përballojë tronditjen e madhe nga ajo që ndodhi në fushën e lojës.
“Për momentin, ai nuk e di më as kush është”, thuhet në dëshminë e një burimi pranë futbollistit, e publikuar nga mediat. Owono po vuan rëndë nga kjo ngjarje tragjike, ndërsa familjarët, partnerja dhe miqtë e tij po qëndrojnë pranë për ta mbështetur.
Portieri ka mbyllur gjithashtu llogarinë e tij në Instagram dhe është shkëputur nga rrjetet sociale, pas një vale fyerjesh, kërcënimesh dhe sulmesh raciste që ka marrë pas incidentit.
Në krah të tij është rreshtuar edhe klubi i Andorrës, së bashku me shokët e skuadrës dhe stafin teknik, të cilët po i ofrojnë mbështetje në këtë moment të rëndë. Edhe tifozët i kanë përcjellë një mesazh solidariteti, duke i kujtuar se nuk është vetëm.
Vetë Owono e ka përshkruar këtë periudhë si “ditët më të vështira të jetës sime”, duke shprehur dhimbjen për humbjen e Jesús de Miguel dhe duke i dërguar ngushëllime familjes së tij.
Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Deri në përfundimin e tyre, përgjegjësia ligjore nuk mund të konsiderohet e përcaktuar.
Një tragjedi që ka lënë pas dhimbje të thellë për familjen e futbollistit të ndjerë dhe ka tronditur edhe portierin e përfshirë në përplasjen fatale.




