Një mësues i edukimit fizik në një shkollë në Selenicë është ndaluar nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht nxënëset e tij. Në polici kanë bërë kallëzim shtatë vajza, të moshave 14 deri në 17 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake, 35-vjeçari dyshohet se u ka dërguar mesazhe nxënëseve dhe i ka ngacmuar edhe me fjalë në ambientet e shkollës. Fillimisht, vajzat kanë paraqitur ankesat pranë drejtuesve të institucionit arsimor, ndërsa më pas Zyra Arsimore e Selenicës ka njoftuar policinë.
Policia e Vlorës konfirmoi ndalimin e mësuesit, duke bërë të ditur se ndaj tij janë ngritur dyshime pas kallëzimeve të shtatë nxënëseve.
“U ndalua shtetasi A. A., 35 vjeç, banues në Vlorë, mësues i edukimit fizik në një shkollë, pasi kanë kallëzuar 7 nxënëse të kësaj shkolle, të moshave 14–17 vjeçe, se ky shtetas i ka ngacmuar seksualisht në ambientet e shkollës”, njoftoi policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, kolegët e mësuesit kanë deklaruar se gjatë bashkëpunimit me të kanë pasur marrëdhënie korrekte dhe se nuk kanë marrë më parë ankesa nga nxënësit për sjelljen e tij. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të verifikuar denoncimet.
