Rama paralajmëron ndryshime në inspektorate: Kontrollet e befasishme do të marrin fund, inspektorët me kamera inteligjente

Ekonomi | 1 minutë më parë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime në mënyrën e funksionimit të inspektorateve në Shqipëri, duke deklaruar se kontrollet e befasishme ndaj bizneseve duhet të marrin fund dhe se inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente të lidhura në kohë reale me qendrën.

Rama theksoi se qëllimi i inspektorateve duhet të jetë parandalimi i gabimeve dhe jo ndëshkimi i bizneseve.

“Qëllimi kryesor i Inspektoratit të Përgjithshëm dhe i të gjitha trupave inspektuese duhet të jetë parandalimi. Nuk është qëllimi ynë të kapim me patjetër në gabim biznesin. Qëllimi ynë është që biznesi të përmirësojë në vijimësi pozicionin e vet në raport me ato standarde që duhet të përmbushë”, u shpreh Rama në konferencën “Inspektimi në shërbim të biznesit dhe investimeve”, të zhvilluar në kuadër të edicionit të 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës.

Rama paralajmëroi gjithashtu se inspektorët do të pajisen me uniformë civile, kostum e kravatë, si dhe me kamera inteligjente në trup, të cilat do të lidhen në kohë reale me qendrën.

“Duhet të marrin fund kontrollet e befasishme. Për këtë arsye të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm së shpejti më në fund do të vishen me uniformë civile, me kostum, me kravatë. Të gjithë inspektorët dhe të gjitha inspektoret do kenë kamera inteligjente të trupit që do të jetë e lidhur në kohë reale me qendrën”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi edhe nisjen e një cikli tryezash me të gjithë sektorët dhe kategoritë e sipërmarrjes, me qëllim marrjen e drejtpërdrejtë të shqetësimeve dhe propozimeve të bizneseve për reduktimin e barrës burokratike.

Ai u ndal edhe te digjitalizimi i shërbimeve dhe përdorimi i inteligjencës artificiale, duke theksuar se këto procese ndihmojnë në luftën kundër praktikave korruptive.

“Ne do të nisim një cikël tryezash me të gjithë sektorët dhe me të gjitha kategoritë e sipërmarrjes për të marrë drejtpërdrejtë nga sipërmarrja shqetësime dhe ide për të ulur presionin e barrës së burokracisë.

Digjitalizimi i shpejtë dhe transformimi i shërbimeve apo i mënyrës së funksionimit të shtetit, në raport me qytetarin dhe anasjelltas duke përdorur dhe inteligjenca artificiale, na ndihmon shumë në atë që është një luftë e përditshme e të gjithëve me praktikat korruptive”, tha Rama.

Konferenca u zhvillua me pjesëmarrjen edhe të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përfaqësuesve të Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektorateve qendrore dhe komunitetit të biznesit.

Diskutimet u përqendruan në tri fusha kryesore: sigurinë ushqimore, mjedisin dhe klimën, si dhe marrëdhëniet e punës, me fokus te standardet dhe detyrimet që duhet të përmbushin bizneset dhe investitorët që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme