Dy avionë pasagjerësh janë bërë objekt i kërcënimeve për bombë të premten, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë dhe të ndryshojnë itinerarin e fluturimeve në Portugali dhe Itali.
Të dyja alarmet rezultuan të rreme, ndërsa avionët u ulën në siguri.
Rasti i parë u regjistrua në Lisbonë, ku një avion që do të fluturonte drejt Romës u bë objekt i një kërcënimi për bombë. Policia portugeze konfirmoi se alarmi ishte fals.
Ndërkohë, një tjetër fluturim që ishte nisur nga Praga në drejtim të Romës u detyrua të devijonte drejt Venecias pas një kërcënimi të ngjashëm.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, avioni ndryshoi drejtim në afërsi të Ferrarës dhe u ul pa probleme në aeroportin e Venecias.
Incidentet vijnë në një javë kur dhjetëra fluturime komerciale në Europë janë përballur me kërcënime të rreme për vendosjen e bombave. Alarmet kanë detyruar autoritetet të ndryshojnë itineraret e disa avionëve, ndërsa në raste të tjera mjetet ajrore civile janë shoqëruar nga avionë luftarakë.