
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, do të mandatojë të dielën një deputet për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, të cilat nuk prodhuan një shumicë të qartë qeverisëse. Në përfundim të konsultimeve me partitë politike, Herzog bëri të ditur se 67 deputetë kanë rekomanduar Gadi Eisenkotin, kreun e partisë Yashar, si kandidat për kryeministër, ndërsa 46 deputetë kanë mbështetur kryeministrin aktual, Benjamin Netanyahu.
Megjithatë, mbështetja parlamentare për Eisenkotin nuk përbën ende një marrëveshje të mirëfilltë koalicioni. Disa nga partitë arabe kanë shprehur gatishmërinë për ta mbështetur një qeveri nga jashtë koalicionit, ndërsa mbeten të paqarta kushtet e bashkëpunimit mes forcave politike. Nga ana tjetër, Netanyahu, megjithëse partia e tij Likud doli e para në zgjedhje me 27 mandate, nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme për krijimin e një shumice qeverisëse.
Herzog ka paralajmëruar se numri i rekomandimeve nuk garanton automatikisht formimin e qeverisë. Kandidati që do të marrë mandatin do të ketë 28 ditë kohë për të krijuar kabinetin, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë të tjera. Nëse Eisenkot arrin të sigurojë një marrëveshje mes partive, Izraeli mund të hyjë në një fazë të re politike, duke i dhënë fund periudhës së gjatë të dominimit të Benjamin Netanyahut.
