Erion Veliaj, kurbani që duhet të zgjedhi kasapin
Publikuar nga Andi Myrta
Erion Veliajt i ka hyrë djalli dhe i duhet një ekzorcist! Ku më mirë se Toni Gogu, pastori që dikur e celebroi dhe të premten e shkuar shkoi për të yshtur Kryetarin e Bashkisë Tiranë. Si në një vigjilje Halloween-i ama, Toni Gogu zgjodhi të shkojë i maskuar si Ministër i Drejtësisë për të takuar Lalin, dhe për t’i kapur në befasi demonët e tij. E tëra më kot.
Demonët e Erionit dolën dhe më në pah, tejkaluan muret e izolimit të burgut të Fierit dhe u mbivendosën në syrin e ciklonit të skandaleve të javës. Erion Veliaj ka nevojë akoma dhe më shumë tani për një ekzorcist, sepse demonët e tij po fillojnë të flasin.
Ky do të mund të ishte komenti i vetëm që mund të bënin anëtarët e grupit të Partisë Socialiste, ose të paktën Ministri i Drejtësisë, i cili, ndryshe nga ç’e do zakoni nuk mori përgjegjësi personale për takimin, në këtë parodi të madhe që jetojmë.
Edi Rama është i rrezikshëm! Kjo është ajo që insinuoi Veliaj në letrën e tij të parë të publikuar të hënën e 2 nëntorit pas takimit me Moisiun modern, i cili ndryshe nga ai biblik që mori 10 urdhëresa nga Zoti, ky mori vetëm 3. Kërkesat e Zotit socialist për Lalin e pushtuar nga demonët ishin:
– Prano që je përfshirë me protestat, ose do të shtohen akuzat dhe do përfundosh me 100 vite burg.
– Hiq dorë nga Bashkia Tiranë dhe delegoje firmën te Arbër Hajdari.
– Mos u këshillo me Plarent Ndrecën.
Që të kuptohemi, Erion Veliaj ka mëktatet e tij dhe në njëfarë mënyre po përballet me to. Por ndonjëherë djalli flet të vërtetën kur është i zënë ngushtë. Mua më duket se me këtë rast jemi duke u përballur këto ditë.
Për të kuptuar që Edi Rama është jo vetëm i rrezikshëm, por në një gjendje paranojake, nuk na nevojiten letrat nga burgu të Lali Erit. Ai do të mund të kishte dëshirën të ishte si një siluetë e At Zef Pllumit në këto momente, teksa është duke dokumentuar presionet e një regjimi që dhe ai vetë ndihmoi të ngrihej. Prandaj krahasimi qëndron i pavend, dhe kleriku i vetem në këtë histori, edhe pse blasfemik, mbetet Toni Gogu.
Megjithatë paranojat e Ramës mbeten të sakta. Instikti i tij i pagabueshëm si i një grabitqari, është duke e ndjerë rrezikun nga gjithçka që po ndodh rreth tij. Protestat, xhelozitë kamikaze brenda PS, një frymë e re opozitare në vend dhe padiskutim sknadalet e pambarimta, po e trondisin tempullin e atij që shumë syresh të indoktrinuar e shohin dhe si Perëndi.
Por në të njëjtën kohë Edi Rama është dhe duke u kënaqur në këto momente. Ndryshe nga Lali Eri i cili zgjodhi ta fitojë përkrahjen në publik me maskën e të dashurit dhe parave të hedhura për “mbështetje artistike”, Kryeministri preferon gjithmonë frikën. Është një lexues i mirë i klasikëve.
Prandaj dhe në këtë akt, kurbanbërësi është duke i treguar të gjithëve që kur një gjë të tillë është në gjendje t’ia bëjë një personi si Erion Veliaj, me pushtetin dhe financat e tij, është në gjendje t’ia bëjë kujtdo. Dhe njëjtë si një vrasës serial që lë firmën e tij para çdo makabriteti, në po të njëjtën mënyrë është siguruar dhe Kryeministri për firmën e tij. Ajo e tjetërsimit si person, edhe nëse je “djali” politik i tij.
Por duket se pas 1 viti e gjysmë durim dergjur burgjeve, Lali Eri më në fund ka zgjedhur të luftojë. Me siguri do të ketë kuptuar diçka nga shëmbulli i motrës së tij socialiste, Belindës, që ndryshe nga Erioni, kthetrat zgjodhi t’i nxjerrë që në momentin e parën kur u përballë me akuzat për korrupsion, për të mos përfunduar në këtë “shit show” që po ndodh me Kryeministrit dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Veliaj në letrën e dytë të së mërkurës theksoi dhe i plotësoi akuzat ndaj Kryeministrit. Mes tyre kishte politike dhe penale. Dhe para një fati që duket i pashmangshëm për të, ai i të qënurit i sakrifikuar, Lali Eri mund të zgjedhi për çfarë të sakrifikohet dhe për kë.
Për kurbanbërësin e tij? Apo për një shoqëri që prej 5 muajsh po kërkon ta ketë fatin e saj në dorë? Në këtë mënyrë Erioni mund të jetë vërtetë një kurban. Nëse zgjedh të parin është thjesht një i sakrifikuar.
Sa të akuzohet më kot se qëndron mbrapa protestave prej paranojave të Kryeministrit, pse jo?
Dhe mbase e gjitha kjo mund të jetë si përgjigjja e Kryemnistrit kur u pyet për akuzat e Erionit ndaj tij, tek tha, “si makinat në bulevard që shkojnë e vijnë”.
Por mbase në njërën prej atyre makinave ndodhet edhe ai vetë.
Ku i dihet. Po foli Lali mbase e marrim vesh!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



