Një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm ndaj gjykatëses në Viti

Gjykata Themelore në Gjilan, dega Viti ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji tëpandehurit H. Y. i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale sulmi ndaj personit zyrtar.
Sipas kërkesës së prokurorisë me datë 04.11.2026 rreth orës 14:00 në fshatin Sadovinë e Jerlive të Komunës së Vitisë, gjatë realizmit të ekzaminimit të terrenit në kuadër të lëndës civile, pranë Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega Viti, veprim procedural që ndërmerrej nga gjyqtarja e rastit, me qëllim të shqyrtimit dhe konstatimit të rrethanave faktike relevante për çështjen civile, i pandehuri H. Y. i pranishëm në vendin e ngjarjes, me dashje, vetëdije dhe në mënyrë agresive, ndërhyn në zhvillimin e veprimit zyrtar të gjykatës, duke ndërmarr veprime të drejtpërdrejta kundër gjyqtares dhe duke cenuar integritetin e saj fizik, si dhe autoritetin dhe ushtrimin e pavarur të funksionit gjyqësor.
Më këto veprime i pandehuri H. Y. dyshohet të ketë kryer veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/









































