Ekonomitë në zhvillim pritet të barazojnë vendet e pasura në investimet për energjinë e rinovueshme

Ekonomitë në zhvillim, duke përjashtuar Kinën, pritet të shtojnë po aq kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme sa ekonomitë e zhvilluara gjatë pesë viteve të ardhshme, për herë të parë në histori. Kriza energjetike globale dhe rritja e çmimeve të naftës e gazit po përshpejtojnë investimet në burimet alternative të energjisë, sipas parashikimeve të publikuara të premten nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
Kapacitetet globale të energjisë së rinovueshme pritet të rriten me rreth 4,800 gigavat (GW) gjatë periudhës 2026–2031, një zgjerim 57% më i lartë se në gjashtë vitet e mëparshme. Sipas Reuters, ekonomitë në zhvillim, pa përfshirë Kinën, do të shtojnë rreth 1,100 GW kapacitete të reja, pothuajse të njëjtën sasi me vendet e zhvilluara, ndërsa Kina do të kontribuojë me rreth 2,550 GW.
Rritja e çmimeve të lëndëve djegëse fosile, pas ndërprerjeve të transportit të naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit nga lufta mes SHBA-së dhe Iranit, ka nxitur qeveritë të përshpejtojnë zhvillimin e burimeve vendase të energjisë.
Zgjerimi më i shpejtë pritet në Azinë Juglindore, Afrikë dhe Lindjen e Mesme, ku kapacitetet e reja të instaluara gjatë periudhës 2026–2031 parashikohet të jenë pothuajse trefishi i atyre të gjashtë viteve të mëparshme. Energjia diellore do të përbëjë më shumë se tre të katërtat e shtesave globale të kapaciteteve të rinovueshme.
Kina do të mbetet tregu më i madh në botë, por pjesa e saj në zgjerimin global pritet të ulet nga mbi 60% në vitin 2025, në mesatarisht 53% gjatë periudhës së parashikimit.
India po konsolidohet si tregu i dytë më i madh për rritjen e kapaciteteve të rinovueshme. Kontributi i saj në zgjerimin global pritet të arrijë afro 8.5%, ndërsa kapaciteti total i energjisë së rinovueshme në vend parashikohet të më shumë se dyfishohet deri në vitin 2031.
Megjithatë, zgjerimi i prodhimit po përballet me kufizime në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes. Kapaciteti i projekteve të energjisë së rinovueshme dhe magazinimit në faza të avancuara, që presin lidhjen me rrjetin, është rritur me 60% gjatë vitit të fundit, duke arritur në 3,000 GW. Sipas IEA-së, burimet e rinovueshme pritet të sigurojnë afro 45% të prodhimit botëror të energjisë elektrike në vitin 2031, nga 33% në vitin 2025.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









