Ujësjellës i kanalizimeve Tiranë ka nisur kontrollet në terren ndaj lavazheve që furnizohen në mënyrë të paligjshme nga rrjeti publik i ujit. Aksioni vjen pas përfundimit të afatit më 31 tetor.

Sipas AKUK-së, lidhjet e paligjshme ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin e banorëve, duke ulur sasinë dhe presionin e ujit në rrjet. Përveç kësaj, ndërhyrjet e pakontrolluara krijojnë rrezik për ndotjen e sistemit dhe cenimin e cilësisë së ujit të pijshëm.

Nga evidentimi i kryer në rang vendi janë identifikuar 1.206 lavazhe aktive. Prej tyre, 460 e kanë larjen e automjeteve si aktivitet kryesor, ndërsa 746 të tjera e ofrojnë këtë shërbim si aktivitet dytësor.

Drejtori i Përgjithshëm i AKUK-së, Fludian Çuka, u ka bërë thirrje bizneseve dhe individëve të shmangin lidhjet e paligjshme, duke theksuar se mbrojtja e rrjetit publik është e rëndësishme për garantimin e furnizimit të qytetarëve.

"Është e rëndësishme që jo vetëm subjektet që ushtrojnë aktivitetin e lavazhit, por çdo biznes apo individ, të ndërgjegjësohet se lidhjet e paligjshme ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin me ujë të banorëve, duke cenuar sasinë dhe presionin e ujit në rrjet. Gjithashtu, ndërhyrjet e pakontrolluara krijojnë rrezik për ndotjen e rrjetit publik dhe cenimin e cilësisë së ujit të pijshëm.

Qëllimi i këtij aksioni nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi, ligjshmëria dhe mbrojtja e furnizimit me ujë të qytetarëve. Nga evidentimi i kryer në të gjithë territorin e vendit, janë identifikuar 1,206 lavazhe aktive, nga të cilat 460 subjekte e kanë lavazhin si aktivitet kryesor, ndërsa 746 subjekte të tjera e ofrojnë si shërbim dytësor. Këto të dhëna përbëjnë bazën për organizimin dhe shtrirjen e kontrolleve në terren", tha Fludian Çuka.

Ai shtoi se kontrollet do të vijojnë në mënyrë sistematike dhe, në rast të mosreflektimit, do të zbatohen masat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.

“Rrjeti publik i furnizimit me ujë është i të gjithëve. Askush nuk ka të drejtë të cenojë furnizimin dhe sigurinë e tij për qytetarët”, tha Fludian Çuka.