Shqipëria drejt arritjes së objektivit të NATO-s. Qeveria rriti sërish buxhetin për mbrojtjen, duke e çuar në 76 miliardë lekë, ose 2.6% të PBB-së, ndërsa duhet të kapë 5% deri në 2035.
Në komisionin e sigurisë, Nufi theksoi se shumica e buxhetit do të shkojë për financimin e investimeve strategjike, si Korridori 8, Porto Romano apo Pashalimani, ndërsa pjesë të konsiderueshme do të ketë dhe modernizimi i FA-së, me armatim të lehtë, automjete, helikopterë, avionë, anije.
Deri në vitin 2029, Shqipëria synon t’i japë mbrojtjes një buxhet sa 2.9% e PBB-së, dhe Nufi theksoi se për këtë do të kërkohet hua nga vendet partnere, ose ndryshim buxheti nga qeveria.
Por në komisionin parlamentar, Nufi sqaroi përfundimisht akuzat ndaj shoqërisë Kayo dhe biznesmenin ortak izraelit Ron Yefet. Sipas Nufit, Kayo nuk ka marrë para nga buxheti përveç kapitalit themelimtar.
“Kayo, shoqëria s’ka marrë para për asnjë për kontratat që ka nënshkruar. 3 mln euro janë marrë me themelimin e Kayo. Kemi marrëveshje me Timak për mjetet, ju thoni i fusni një bojë e i vini targë, tani po të doni t’i vëmë një motor me shasi, na duhen më shumë para, nuk i kemi, por po mundohemi t’i ngremë. Ne duam t’i kemi këto në Shqipëri” u shpreh Nufi.
Nufi hodhi poshtë se Shqipëria është e përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh.
“S’merren me filma, as me spektakle emisionesh në darkë, këto janë ëndrra, do zhgënjeheni me këto trafiqe armësh. Të bëjë Shqipëria trafik armësh, është akuzë e rëndë, jo që s’bëjmë paketim e ripaketim as bëhet fjalë, jemi vend i NATO-s”, tha Nufi.
Ministri i Mbrojtjes sqaroi se Shqipëria ende nuk ka arritur të prodhojë qoftë një armë luftarake me kompaninë e re AAT.
“Sot që flasim AAT nuk ka nisur akoma të prodhojë. Ju ndoshta s’doni, por do prodhoheni. Ndoshta vjen dita që kompania të thotë kaq baltë sa hidhet në Shqipëri s’duam të prodhojmë aty. Ne kemi marrë para vetëm për kapital themeltar. Kontratat po i nënshkruajmë” shtoi ai.
Sa për akuzat për riparimin e helikopterëve, Nufi garantoi se helikopterët që disponon Shqipëria mirëmbahen nga një prej kompanive më të mira europiane.
“Helikopterët, mirëmbajtja bëhet në një vend të Europës, është një nga kompanitë më të mëdha e më të mira që i bën në Zvicër” shtoi ai.










