Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj gjobave të vendosura për qytetarët që marrin pjesë në protesta, duke i cilësuar ato si antikushtetuese dhe një formë presioni ndaj protestuesve.
Gjatë debateve në mbledhjen e komisionit, Zhupa deklaroi se këto gjoba do të rrëzohen në gjykatë dhe se qytetarët nuk duhet t’i konsiderojnë ato si ndëshkim, por si dëshmi të pjesëmarrjes së tyre në protestat kundër qeverisë.
“Këto janë fletë lavdërimi për këdo që e merr. Sigurisht që këto do të vihen në korniza, se për t’u paguar nuk do të paguhen”, u shpreh Zhupa.
Deputetja demokrate e cilësoi skandaloze vendosjen e gjobave për bllokimin e rrugëve gjatë protestave, duke argumentuar se tubimet zhvillohen pikërisht në hapësirat publike dhe se qytetarët duhet të kenë mundësi të shprehin pakënaqësitë e tyre.
“Këto janë të gjitha gjoba antikushtetuese, të cilat janë makthi juaj, janë tmerri juaj. Këto janë gjoba që asnjë lek nuk do të merrni, sepse të gjitha do të rrëzohen nga gjykata”, deklaroi ajo.
Zhupa i cilësoi gjobat si mjete represioni, frike dhe kërcënimi nga qeveria, ndërsa solli në vëmendje edhe protestat e zhvilluara gjatë rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.
“Ku e keni parë ju, në cilin vend të botës, që u vihen gjoba qytetarëve se kanë bllokuar rrugën ndërkohë që janë duke protestuar? Se ku do të protestojnë, në majë të çatisë? Në rrugë do të protestojnë”, u shpreh deputetja.
Në përfundim, Zhupa e cilësoi vendosjen e gjobave ndaj protestuesve si një metodë të papranueshme dhe përsëriti se ato nuk do të paguhen nga qytetarët që i kanë marrë.
