Një mësues i edukimit fizik në një shkollë në Selenicë është ndaluar nga policia e Vlorës, i dyshuar për ngacmim seksual të nxënësve.
35-vjeçari është kallëzuar nga 7 nxënëse të të moshave 14–17 vjeçe në drejtori, ndërsa më pas Zyra Arsimore Selenicë ka njoftuar policinë.
Paraprakisht mësuesi dyshohet se edhe u ka shkruajtur dhe ngacmuar me fjalë vajzat në ambientet e shkollës.
“U ndalua shtetasi A. A., 35 vjeç, banues në Vlorë, mësues i edukimit fizik në një shkollë, pasi kanë kallëzuar 7 nxënëse të kësaj shkolle, të moshave 14–17 vjeçe, se ky shtetas i ka ngacmuar seksualisht në ambientet e shkollës”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen, kolegët e tij thanë se ngjarja u dukej e pabesueshme dhe se nuk kishin ndonjë koment, por deklaruan se kishin shkuar mirë me mësuesin që u ndalua. Nga ana tjetër, një prej vajzave që kallëzoi në Polici, tha se vetë nuk kishte qenë 'pre' e ngacmimeve seksuale, por shoqet e saj, sipas të miturës, po.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Një prej 7 vajzave që denoncuan mësuesin e shkollës në Selenicë për ngacmim seksual, ka folur për Report Tv dhe ka treguar detaje mbi ngjarjen. Bashkë me të ka folur edhe mamaja e saj, si dhe një i mitur, nxënës në të njëjtën shkollë.
Vajza që ishte pjesë e grupit që bëri kallëzimin ka deklaruar se personalisht mësuesi atë nuk e kishte ngacmuar, por kishte ngacmuar shoqet e saj.
“Thanë veprimet që kishte bërë ai, por me mua personalisht nuk kishte bërë asgjë. Di vetëm që ka bërë këto veprime me vajzat e shkollës. Jo mesazhe nuk ka asgjë të tillë, s’di unë që të ketë mesazhe. Por me mua personalisht nuk ka bërë ndonjë gjë të keqe. Na bënte mësim, unë nuk është se vija re ndonjë gjë. Na pyetën mënjanë në Polici, siç vajtëm ne të shtata. Ishim me prindërit, por na pyetën mënjanë”, tha njëra prej vajzave që u mor në pyetje në Polici.
Ndërkohë mamaja e saj tha se profesori kishte 3 muaj që jepte mësim në atë shkollë dhe sipas saj, ai kishte ngacmuar vazhdimisht vajzat.
“S’më linin të flisja, ka folur vetëm vajza. Policia e pyeti për gjëra se çfarë ka ndodhur në shkollë, për prekje fizike, ka bërë xheste. Por vajza ka thënë thjeshtë ‘unë kam qenë e pranishme te vajzat që ka bërë gjëra’. Profesori kishte 3 muaj që kishte hyrë në shkollë dhe këto gjëra i kishte bërë”, tha mamaja e njërës prej vajzave.
Ndërkohë djali i mitur tha se e kishte dëgjuar mësuesin që i thoshte vajzave ‘hajde te lali zemra’.
“Mësuesin e fiskulturës e arrestuan se ngacmonte vajzat, i godiste. I ngacmonte më fjalë domethënë si ‘hajde te lali zemra’”, tha nxënësi i mitur i shkollës ku ndodhi skandali.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Pas publikimit të rastit të ndalimit të mësuesit të edukimit fizik në një shkollë në Selenicë, kanë reaguar edhe kolegët e tij. Ata shprehen se mësuesi ka pasur sjellje korrekte si me stafin pedagogjik, ashtu edhe me nxënësit.
Mësuesi i anglishtes në këtë shkollë thotë se lajmi i publikuar u ka shkaktuar tronditje dhe ndihen të turpëruar, por thekson se deri më tani nuk kanë pasur asnjë ankesë nga nxënësit lidhur me sjelljen e kolegut të tyre. Sipas tij, ata nuk dinë se çfarë mund të ketë ndodhur dhe ia lënë në dorë organeve kompetente zbardhjen e plotë të rastit.
“E njoh, e kam koleg. Marrëdhëniet tona kanë qenë brenda normave. Punojmë bashkë që në fillim të vitit shkollor. Me ne ka qenë korrekt, por edhe me nxënësit, korrekt. Na vjen turp që jemi mësues, jemi të sulmuar nga të gjithë krahët. Jemi të zhveshur nga gjithçka. Nuk e besoj dot dhe nuk dua ta besoj që i ka ngacmuar seksualisht vajzat. Vajta 20 vite aty dhe më duket çmenduri”, tha mes të tjerash mësuesi i anglishtes në shkollën ku jepte mësim i ndaluari.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave paraprake, mësuesi i edukimit fizik u ndalua nga Policia e Vlorës pas denoncimeve të disa nxënëseve të shkollës, të moshave 14–17 vjeç. Nxënëset kanë paraqitur fillimisht ankesë pranë Zyrës Arsimore Selenicë, ndërsa më pas, pas njoftimit nga drejtoria arsimore, rasti është referuar në polici për hetim.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa pritet që organet kompetente të zbardhin rrethanat dhe të verifikojnë pretendimet e ngritura.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento