Shqipëria do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen gjatë vitit 2027, me një buxhet prej 76 miliardë e 284 milionë lekësh, rreth 10% më shumë krahasuar me vitin 2026.
Investimet parashikojnë blerjen e dronëve, avionëve, armatimeve të reja dhe sistemeve kundërajrore, si dhe modernizimin e infrastrukturës ushtarake.
Projektbuxheti u prezantua nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Sipas tij, fondi për vitin e ardhshëm përfaqëson 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe synon modernizimin e Forcave të Armatosura, si dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Nga buxheti i përgjithshëm, 43.6 miliardë lekë, ose 57.2%, janë parashikuar për investime dhe shpenzime kapitale, ndërsa 32.6 miliardë lekë do të përdoren për shpenzimet korrente.
Rreth 23.1 miliardë lekë do të shkojnë për modernizimin e Forcave të Armatosura.
Në listën e investimeve përfshihen armatime të lehta, dronë, avionë krahëfiks, sisteme kundër dronëve dhe pajisje për mbrojtjen ajrore. Parashikohet gjithashtu zhvillimi i një sistemi të integruar për vëzhgimin e hapësirës ajrore.
Një tjetër drejtim investimesh është modernizimi i mjeteve të transportit dhe sistemeve të komunikimit e informacionit në bazën e NATO-s në Kuçovë.
Për infrastrukturën ushtarake janë planifikuar 5.9 miliardë lekë. Mes projekteve kryesore janë ndërtimi i pjesës ushtarake të portit të ri në Porto Romano, rivitalizimi i Bazës së Pashalimanit, rikonstruksioni i Spitalit Ushtarak dhe ndërtimi i hangarëve të Shkollës së Aviacionit.
Në këtë paketë përfshihen edhe infrastruktura mbështetëse për Korridorin VIII, ndërtimi i ambienteve akomoduese në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe investimet për përballimin e emergjencave civile e fatkeqësive natyrore.
Ministri Nufi theksoi se fondet janë planifikuar në përputhje me nevojat e Forcave të Armatosura dhe objektivat afatgjata të mbrojtjes. Një pjesë e tyre do të përdoret për pajisjen e Forcave Tokësore me armatime të reja, të përshtatshme për operacionet e përbashkëta me aleatët e NATO-s.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu përmirësimin e trajtimit të ushtarakëve, zhvillimin e karrierës dhe rritjen e kapaciteteve trajnuese. Në të përfshihen edhe masa për forcimin e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit në Forcat e Armatosura.
Shqipëria do të vijojë angazhimet në operacionet dhe misionet e NATO-s, ndërsa do të mbajë në gatishmëri kapacitetet për mbrojtjen kombëtare, reagimin ndaj krizave dhe emergjencave civile.
Shpenzimet për mbrojtjen pritet të rriten edhe gjatë tre viteve pasardhëse, me afërsisht 1 miliard lekë shtesë çdo vit.
