
Një letër private e aktores legjendare franceze Brigitte Bardot ka nxjerrë në pah pakënaqësitë e thella që ajo kishte përjetuar gjatë martesës me bashkëshortin e saj, Bernard d’Ormale. Dokumenti, i shkruar në vitin 2022 dhe i publikuar nga gazeta “Le Figaro”, përmban akuza të forta për mungesë dashurie, përkujdesjeje dhe mbështetjeje emocionale.
“Për 30 vjet, më ke shkatërruar me durim, ditë pas dite”, i shkruante aktorja bashkëshortit, duke shprehur zhgënjimin për marrëdhënien e tyre dhe për atë që, sipas saj, i kishte munguar gjatë gjithë martesës.
Në letër, Bardot tregonte se kishte nevojë për një partner që t’i qëndronte pranë, të ndante me të gëzimet dhe vështirësitë e jetës, por edhe momentet më të zakonshme të përditshmërisë.
Sipas “The Times”, në një nga pjesët më prekëse të mesazhit, aktorja shkruante:

“Kam arritur sot kufirin absolut të vuajtjes sime. Të dhashë gjithçka. Dashurinë time, nevojën time të brendshme për një shok që do të ma kthente dashurinë, që do të ndante gëzimin tim dhe dhimbjen time të madhe, që do të më shoqëronte në rrugën time të fundit të jetës, që do të ishte i lumtur me mua duke pirë një kafe ose një gotë verë të kuqe me miqtë, që do të më merrte për një udhëtim me makinë për të më larguar mendjen nga problemet dhe që do të buzëqeshte për jetën që i ofroj. Duke buzëqeshur!”
Pavarësisht pakënaqësive të shprehura në këtë letër, çifti kishte vazhduar të jetonte së bashku deri në fund të jetës së aktores. Bernard d’Ormale kishte treguar madje se gjatë periudhës kur Bardot ishte shtruar në spital, ai kishte fjetur në një dyshek në dhomën e saj.
Publikimi i dokumentit ka shkaktuar reagimin e avokates së bashkëshortit, Aurélie-Caroline Vieugué, e cila ka vënë në pikëpyetje autenticitetin e letrës.
“Klienti im është i shkatërruar nga kjo letër. Është jashtëzakonisht e dhunshme”, deklaroi ajo, duke shtuar se Bernard d’Ormale nuk kishte pasur dijeni për ekzistencën e këtij dokumenti.
Avokatja ngriti dyshime edhe për mënyrën e nënshkrimit, pasi, sipas saj, Brigitte Bardot zakonisht i firmoste letrat e saj duke vizatuar një margaritë, ndërsa në dokumentin e publikuar mungon kjo shenjë. Megjithatë, ajo nuk e cilësoi letrën si të falsifikuar.
Përplasjet mes palëve lidhen edhe me trashëgiminë e aktores. Sipas fondacionit të saj, testamenti parashikonte që bashkëshorti të largohej nga vila La Madrague, në Saint-Tropez, ku Bardot kishte jetuar për dekada.
Pjesën më të madhe të pasurisë, aktorja ia kishte lënë fondacionit të saj për mbrojtjen e kafshëve, ndërsa pjesën tjetër djalit të saj, Nicolas-Jacques Charrier.
Nga ana e tij, Bernard d’Ormale e ka kundërshtuar largimin nga prona, duke deklaruar: “Kam jetuar atje për 35 vjet dhe më kanë dëbuar”.
Ndërkohë, fondacioni këmbëngul se vila është në pronësi të organizatës që prej vitit 1992. D’Ormale, i cili kishte mbajtur për një periudhë më pak se njëvjeçare edhe postin e kryetarit të fondacionit, u largua nga kjo detyrë në muajin shtator.
Letra, pretendimet për marrëdhënien martesore dhe mosmarrëveshjet rreth trashëgimisë kanë rikthyer në vëmendje jetën private të një prej ikonave më të njohura të kinemasë franceze




