Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e dhënë në shkallën e parë për Ilir Beqarajn, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e ish-policit të Burgjeve, Gentian Bejtja.
Trupi gjykues i ka caktuar Beqarajt 20 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar do të jetë 12 vite e 8 muaj heqje lirie.
Në shkallën e parë, Beqaraj ishte dënuar me 24 vite burg, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar 23 vite burg për të.
Si ndodhi vrasja e Gentian Bejtjas?
Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 mars 2024, në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Gentian Bejtja u vra me armë zjarri në oborrin e banesës së tij, ku ndodhej në momentin e sulmit.
Sipas dosjes hetimore, persona të armatosur dhe të maskuar kanë kaluar rrethimin e banesës, kanë hyrë në oborr dhe kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të 43-vjeçarit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas ekspertizës, ndaj tij është qëlluar me tre armë zjarri të tipit kallashnikov.
Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar me një automjet tip “Land Rover”, i cili u gjet më vonë i djegur në fshatin Hasan të Fushë-Krujës.
Sipas hetimeve, Beqaraj nuk akuzohet si personi që qëlloi mbi Bejtjan, por për rolin e tij në ndihmën ndaj autorëve për t’u larguar nga vendngjarja dhe për fshehjen e provave. Prokuroria ka referuar si prova edhe të dhënat GPS të automjetit që ai kishte marrë me qira, si dhe rezultatet e ekspertizës biologjike.
Vrasja e Bejtjas erdhi pas disa sulmeve të mëparshme ndaj tij. Në një atentat të ndodhur në korrik 2023 pranë banesës së tij, mbeti i vrarë kunati i tij, ndërsa djali i mitur i Bejtjas u plagos.













