Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar kursin e këmbimit të euros me lekun, duke kundërshtuar argumentin se zhvlerësimi i monedhës europiane në Shqipëri vjen si pasojë e rritjes së numrit të turistëve.
Berisha pretendon se rënia e euros lidhet me hyrjen e parave nga aktivitetet kriminale, veçanërisht trafiku i drogës, duke akuzuar qeverinë për fshehjen e këtij fenomeni pas shifrave të turizmit.
Të lidhura
None found
Lideri i opozitës e krahasoi të dhënat e viteve 2007 dhe 2022. Sipas shifrave që ai paraqiti, në vitin 2007 Shqipëria kishte rreth 1.8 milionë turistë, ndërsa euro këmbehej me rreth 120 lekë.
“Në vitin 2005 Shqipëria ka pasur 300 mijë turistë në vit. Në vitin 2007 Shqipëria ka pasur rreth 1 milion e 800 mijë turistë në vit. Raporti euro me lekë ka qenë 1 euro 120 lekë, kur Shqipëria kishte pra 1.8 milion turistë. Shkojmë në vitin 2022. Për mashtruesit publikë që u thonë shqiptarëve se euro po bie nga fluksi i turistëve. Në vitin 2022, kur sipas statistikave të narkoqeverisë turistët arritën në 9 milion turistë nga 1.8 milion që ishin, euro konvertohej, jo më me 120, konvertohej me 127 lekë. Dhe t’i bëjmë një pyetje zotit Guvernator dhe bordit të Bankës: Do mund t’u thoni prapë shqiptarëve se të maskoni narko-euron me turizmin? Urdhëroni zotërinj. Në vitin 2022, euro konvertohej me 127 lekë, pavarësisht nga fluksi i turizmit prej 9 milionë. Që, sipas statistikave zyrtare, se absolutisht nuk e besoj se këta fusin në turistë të gjithë pasagjerët e linjave të lira, të aeroportit të Rinasit. Por po e marr atë shifër. Me gjithë 9 milionë turistë në Shqipëri, euro konvertohej me 127 lekë, pra ishte më e fuqishme sesa në vitin 2007 kur ajo konvertohej me 120 lekë. Kështu që fluksi, domethënë, zhvlerësimi i euros dhe veçanërisht shiko çfarë rënie, thyerje qafe, nga viti 2022 e këtej, ku bosët e drogës, kartelet e drogës të Shqipërisë kanë pushtuar tregun e kokainës dhe janë transportuesit më kryesorë të saj në Europë, janë kontrolluesit dhe aksionerë kryesorë, ka rënë, këtu thotë 99 se është viti 2024, por sot është tek 91 lekë, 92 lekë”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se Banka e Shqipërisë, me të drejtë detyrohet për të mbrojtur euron e Bashkimit Europian në Shqipëri. Sipas tij, jane qytetaret qe i paguajne kete pasoja me rritje te cmimeve.
“Tonelatat që vijnë me kontejner, me kamionë, me avionë, me mënyra të ndryshme, ato e zhdukin lekun nga tregu sepse konvertohen në treg të zi. Banka, për të shpëtuar euron nga një katastrofë edhe më e madhe, nxjerr në treg sasi kolosale leku.
Këtë e paguajnë xhepat e shqiptarëve. Ndaj dhe në Shqipëri, çmimet po të lexoni, janë rritur këto vite më shumë se në asnjë vend tjetër. Ndaj në Shqipëri çmimet e ushqimeve janë rritur gjashtë herë më shumë se në Bashkimin Europian. Ndaj në Shqipëri pabarazia midis çmimeve dhe rrogave thellohet çdo ditë e më shumë”, tha kreu i PD.








