Inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm do të pajisen me kamera inteligjente, të vendosura në trup dhe të lidhura drejtpërdrejt me qendrën, ndërsa të gjitha veprimet gjatë inspektimeve do të regjistrohen në kohë reale.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, ku u prezantua qasja e re ndaj kontrolleve në biznese.
Të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm, së shpejti do të vishen me uniformë civile, me kostum, kravatë. Të gjithë do të kenë kamerën inteligjente të vendosur si stemë në trup që do të jetë e lidhur me qendrën dhe të gjitha veprimet do të jenë të regjistruara në kohë reale dhe kështu do të mund të inspektohet nga zyra e etikës e kryeinspektorit edhe edukata. Kamerat do të jenë bashkë me inspektorin gjatë gjithë orarit të punës.
Kryeministri deklaroi se qëllimi i reformës është kalimi nga kontrollet ndëshkuese te parandalimi dhe këshillimi i sipërmarrjeve, në mënyrë që të përmbushin standardet e kërkuara për t’u përballur me konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian.
Sipas kryeministrit, inspektimet nuk duhet të synojnë kapjen në gabim të bizneseve dhe vendosjen e gjobave, por t’i ndihmojnë të përmirësojnë vazhdimisht standardet e të përgatiten për tregun europian.
Rama shtoi se kontrollet e befasishme duhet të marrin fund, ndërsa parandalimi duhet të shoqërohet me paralajmërimin dhe orientimin e subjekteve.
Nuk është qëllimi ynë të kapim në gabim biznesin, të ngremë kurthe që biznesi të kapet i papërgatitur dhe t’i vëmë gjobë, por të përmirësojë në vijimësi pozicionin e tij në raport me ato standarde që duhet të përmbushë dhe parandalimi duhet të jetë i shoqëruar si qasje me paralajmërimin.
Duhet të marrin fund kontrollet e befasishme, sikur po shkohet në një shpellë për të kapur një grup kriminal. Territoret ku operon sipërmarrja janë territoret ku rritet ekonomia e përbashkët.