Berisha: Ftoj çdo parti dhe faktor opozitar të krijojmë një front të përbashkët kundër Edi Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur ftesën drejtuar partive dhe faktorëve të tjerë opozitarë për krijimin e një fronti të përbashkët kundër kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një konference për mediat, ai u pyet lidhur me mundësinë e bashkëpunimit me partitë e reja opozitare, të cilat janë shprehur skeptike ndaj një bashkëpunimi me PD-në.
Berisha deklaroi se ftesa e tij është e sinqertë dhe synon bashkimin e të gjithë faktorëve që kërkojnë largimin e Ramës nga pushteti.
Kreu i PD theksoi se nuk bëhet fjalë për një koalicion të bazuar në linja apo bindje politike, por për një front të përbashkët opozitar, me objektiv krijimin e një qeverie teknike dhe realizimin e reformës zgjedhore.
Sipas tij, ky bashkëpunim duhet t’i hapë rrugë një procesi zgjedhor të lirë, ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin kandidatët dhe forcat politike që u besojnë.
“Ftoj sërish çdo parti dhe faktor opozitar të krijojmë një front të përbashkët kundër Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Ai pranoi se mes faktorëve të ndryshëm opozitarë ka pasur përplasje dhe shkëmbime jo miqësore, por kërkoi që këto mosmarrëveshje të lihen mënjanë në funksion të një objektivi të përbashkët.
“Koha thërret më shumë se kurrë, t’i lëmë mënjanë ato, të bashkohemi kundër të keqes më të madhe dhe pastaj, në një shoqëri që voton e lirë, secili merr vendin që i takon me votën e lirë”, deklaroi kreu i PD-së.
Në vijim, Berisha bëri thirrje për zgjerimin e bashkëpunimit opozitar edhe në protestat e ardhshme, si dhe në zgjedhjet vendore.




