Hita në Lezhë: Efektivët parandaluan dy ngjarje shumë të rënda kriminale

Aktualitet | 3 minuta më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, ku ka vlerësuar punën e efektivëve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, duke veçuar parandalimin e dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale që mund të rrezikonin jetën e qytetarëve. Gjatë takimit me strukturat vendore, Hita falënderoi dhe përgëzoi punonjësit e Policisë për përkushtimin, punën hetimore dhe rezultatet e arritura, ndërsa theksoi rëndësinë e identifikimit dhe kapjes së personave me rrezikshmëri të lartë.

“Parandalimi i dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale është rezultat i punës, përkushtimit, motivimit dhe vendosmërisë suaj. Keni arritur të identifikoni dhe të kapni persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se do të vepronin ndaj personave konkretë. Edhe ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, me lëndë eksplozive në qytetin tuaj, është dokumentuar dhe hetimet kanë ecur në drejtimin e duhur. Të gjitha këto rezultate shërbejnë për të fituar besimin e qytetarëve dhe për të dhënë më të mirën për këtë qytet”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë së Shtetit kërkoi që i njëjti përkushtim të vijojë edhe në përmbushjen e detyrave të tjera, duke vendosur në fokus të veçantë sigurinë në shkolla dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore.

“Siguria në shkolla dhe perimetri i sigurisë në këto institucione janë të pazëvendësueshme. Dua të përkushtoheni më shumë dhe të kërkoni më shumë nga vetja, në mënyrë që rastet e shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, të marrin goditjen e duhur edhe nga ana juaj. Dua që rezultatet e mira që keni arritur të vijojnë dhe të shoqërohen me vëmendje edhe më të shtuar nga të gjithë ju”, theksoi ai.

Hita kërkoi gjithashtu konsolidimin e mëtejshëm të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, duke u bërë thirrje efektivëve të vijojnë detyrën me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe vendosmëri për garantimin e sigurisë së qytetarëve në të gjithë qarkun.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme