Vendosni fjalën kyçe....

Hita në Lezhë: Policia parandaloi dy ngjarje të rënda kriminale, kërkohet vëmendje më e shtuar për sigurinë në shkolla



Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, ku vlerësoi punën e efektivëve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.

Gjatë takimit, Hita përgëzoi strukturat vendore për rezultatet e arritura, duke veçuar parandalimin e dy ngjarjeve të rënda kriminale, të cilat, sipas tij, shmangën rrezikun për jetën e qytetarëve.

“Parandalimi i dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale është rezultat i punës, përkushtimit, motivimit dhe vendosmërisë suaj. Keni arritur të identifikoni dhe të kapni persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se do të vepronin ndaj personave konkretë”, u shpreh Hita.

Ai iu referua edhe ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë në Lezhë, ku u përdor lëndë eksplozive, duke thënë se ajo është dokumentuar dhe hetimet kanë ecur në drejtimin e duhur.

Gjatë vizitës, kreu i Policisë së Shtetit kërkoi që përkushtimi i strukturave vendore të vijojë edhe në drejtim të sigurisë në shkolla. Ai theksoi nevojën për më shumë vëmendje ndaj perimetrit të sigurisë së institucioneve arsimore dhe goditjes së rasteve të shitjes së lëndëve narkotike pranë tyre.

“Dua të përkushtoheni më shumë dhe të kërkoni më shumë nga vetja, në mënyrë që rastet e shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave të marrin goditjen e duhur edhe nga ana juaj. Dua që rezultatet e mira që keni arritur të vijojnë dhe të shoqërohen me vëmendje edhe më të shtuar nga të gjithë ju”, deklaroi ai.

Në përfundim, Hita kërkoi konsolidimin e mëtejshëm të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, duke u bërë thirrje efektivëve të vijojnë detyrën me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.

Nga ana e tij, drejtori i DVP Lezhë, Ermal Muçaj, falënderoi Hitën për mbështetjen me efektivë dhe mjete, ndërsa u shpreh se strukturat vendore do të vijojnë të angazhohen maksimalisht në përmbushjen e detyrave.