Kapri e vë “me shpatulla pas murit”, Ermal “Raketa” e pranon: AAT nuk prodhon ende armë!
Debati për kompaninë shtetërore KAYO dhe aktivitetin e industrisë ushtarake në Shqipëri është zhvendosur edhe në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, është përballur me pyetjet e deputetit të opozitës, Erald Kapri, i cili kërkoi sqarime për fondet publike të përfituara nga KAYO, hetimin e SPAK-ut dhe pretendimet për prodhimin apo ripaketimin e municioneve në Shqipëri.
Në qendër të përplasjes ishte pikërisht shuma e parave që ka përfituar kompania shtetërore. Kapri kërkoi të dinte se sa fonde publike janë vënë në dispozicion të KAYO-s deri më tani dhe nëse qeveria ka parashikuar financime të tjera për vitin e ardhshëm, në një kohë kur SPAK ka nisur hetimet për dyshime lidhur me tenderat dhe shpërdorimin e detyrës.
Përgjigjja e ministrit ishte se KAYO ka përfituar vetëm 3 milionë euro, të cilat përfaqësojnë kapitalin themeltar të shoqërisë. Nufi kundërshtoi mënyrën se si opozita llogarit vlerën e kontratave tregtare të lidhura nga kompania në funksion të nevojave të Forcave të Armatosura, duke theksuar se këto marrëveshje nuk duhen konsideruar si financime të drejtpërdrejta për KAYO-n.
Megjithatë, Kapri e shtyu më tej debatin, duke kërkuar një shifër konkrete për kontratat që parashikohen të lidhen me kompaninë gjatë vitit të ardhshëm. Deputeti vuri në dukje se hetimi i SPAK-ut për KAYO-n dhe drejtuesit e saj e bën edhe më të rëndësishme transparencën mbi fondet dhe marrëdhëniet tregtare të kësaj shoqërie me institucionet publike.
A prodhon Shqipëria armë? Nufi pranon se AAT nuk e ka nisur ende aktivitetin prodhues
Një tjetër pikë e fortë e përballjes ishte aktiviteti i kompanisë AAT dhe deklaratat e mëparshme të ministrit për prodhimin e armëve në Shqipëri.
Kapri i kërkoi Nufit të sqaronte kontradiktat që, sipas tij, ekzistonin mes deklarimeve të mëparshme të ministrit. Deputeti rikujtoi se Nufi kishte folur për armë të prodhuara nga AAT, të cilat ishin në përdorim, ndërsa në deklarime të tjera kishte pranuar se Shqipëria nuk dispononte kapacitete të plota për prodhimin e armëve.
Ai ngriti gjithashtu dyshime nëse aktiviteti mund të kishte të bënte me ripaketimin e municioneve të prodhuara në vende të tjera, duke sjellë si paralelizëm rastin e Gërdecit dhe historinë e treguar në filmin “War Dogs”, ku municionet kineze ripaketoheshin për t’u dërguar në Afganistan.
Ministri i Mbrojtjes hodhi poshtë pretendimet për trafikim apo ripaketim municionesh dhe deklaroi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ka ndërmarrë iniciativa ligjore për këtë sektor. Ai iu përgjigj edhe drejtpërdrejt pyetjes për AAT-në, duke pranuar se kompania nuk ka nisur ende prodhimin.
Sipas Nufit, AAT ka marrë përsipër të prodhojë duke u mbështetur në patentat që ka vënë në dispozicion, por deri në këtë moment aktiviteti prodhues nuk ka filluar.
“Shoqëria AAT ka marrë përsipër të prodhojë në bazë të patentave që ajo ka vënë në dispozicion. Sot AAT nuk ka filluar ende prodhimin”, deklaroi ministri.
Nufi tha gjithashtu se qeveria nuk ka dhënë fonde për krijimin e kompanive AAT, TIMAK apo subjekteve të tjera me të cilat ka bashkëpunim, përtej detyrimeve ligjore që rrjedhin nga regjistrimi i kapitalit fillestar për aksionet e zotëruara nga shteti.
Sa i përket bashkëpunimit me TIMAK Defence, ministri mbrojti projektin për prodhimin e mjeteve të fortifikuara, duke kundërshtuar pretendimet e opozitës se automjeteve u janë bërë vetëm ndërhyrje sipërfaqësore dhe u është ndryshuar pamja.
Sipas tij, ndërhyrjet përfshijnë vendosjen e elementeve të sigurisë që i bëjnë mjetet të përshtatshme për përdorim nga Forcat e Armatosura. Nufi argumentoi se Shqipëria duhet të rikrijojë kapacitete prodhuese në industrinë ushtarake, duke kritikuar edhe vendimmarrjet e mëparshme për mbylljen dhe çmontimin e fabrikave që mund të shërbenin për këtë qëllim.
Kapri: Nuk mund të jesh patriot dhe hajdut njëkohësisht, Çuçi ndërhyn në debat
Përplasja u ashpërsua kur deputeti Kapri kundërshtoi qëndrimin e ministrit, i cili i cilësoi akuzat për trafik armësh si retorikë antikombëtare.
Kapri deklaroi se garancitë politike nuk mund të zëvendësojnë hetimet dhe rezultatet e drejtësisë, duke përmendur edhe zhvillimet e tjera të fundit që kanë përfshirë institucione të sigurisë në vend.
Ai theksoi se opozita do t’u besojë institucioneve të drejtësisë dhe jo deklaratave të ministrave, duke vënë përballë pretendimet e qeverisë për mbrojtjen e interesit kombëtar me dyshimet që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
“Ju thoni po bëjmë kontrata për ushtrinë, jemi patriotë, po blejmë armë, ndërkohë prokuroria po thotë keni anashkaluar ligjin për të vjedhur. Nuk mund të jesh dhe patriot dhe hajdut njëkohësisht”, deklaroi Kapri.
Kjo deklaratë solli ndërhyrjen e deputetit socialist Bledi Çuçi, i cili kërkoi që Kapri të tërhiqte përdorimin e fjalës “hajdut”, duke argumentuar se përgjegjësia penale mund të përcaktohet vetëm përmes një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
“Besohet drejtësia në fund me vendim gjykate të formës së prerë. Ajo është që besohet në shtet, në shtet demokratik dhe modern siç është Shqipëria”, u shpreh Çuçi.
Në debat edhe avionët zjarrfikës dhe helikopterët Cougar
Përveç KAYO-s dhe industrisë ushtarake, Kapri ngriti shqetësime edhe për kontratën prej 15 milionë eurosh për blerjen e tre avionëve zjarrfikës. Deputeti vuri në dukje se kompania fituese ishte përballur me një vendim dënimi për korrupsion në një shtet anëtar të Bashkimit Europian, ndërsa çështja ishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Ai kërkoi të dinte se çfarë do të ndodhte me tenderin në rast se vendimi i dënimit do të konfirmohej nga gjykata më e lartë dhe nëse Ministria e Mbrojtjes kishte marrë përsipër rrezikun e lidhjes së kontratës me një subjekt të tillë.
Një tjetër çështje e ngritur ishte mirëmbajtja e katër helikopterëve Cougar, për të cilët Shqipëria ka kryer një investim të konsiderueshëm ndër vite. Kapri kërkoi informacion mbi kostot e mirëmbajtjes dhe kompanitë përgjegjëse, duke rikujtuar edhe aksidentin tragjik të vitit 2016 në Liqenin e Shkodrës, ku humbën jetën dy pilotë shqiptarë.
Për këtë çështje, Nufi sqaroi se mirëmbajtja kryhet përmes NSPA-së, strukturës së NATO-s për mbështetjen dhe prokurimet, ndërsa shërbimi realizohet në Zvicër nga një prej kompanive që ministri e cilësoi ndër më të mirat në botë.
Kapri kërkoi gjithashtu sqarime për planin e mëparshëm të Ministrisë së Mbrojtjes për kompensimin financiar të rezervistëve. Nufi u përgjigj se ekziston tashmë një kuadër ligjor për këtë kategori dhe se, në rast angazhimi të rezervistëve, do të parashikohet kompensimi i punëdhënësve të tyre.
Debati në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes riktheu në vëmendje pikëpyetjet mbi financimin e KAYO-s, kontratat e saj tregtare, hetimin e SPAK-ut dhe pretendimet për ngritjen e industrisë ushtarake në Shqipëri. Ndërkohë, vetë ministri konfirmoi se AAT nuk ka nisur ende prodhimin, pavarësisht angazhimit të deklaruar për të zhvilluar këtë aktivitet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



