
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka shpjeguar vendimet e tij për listën e lojtarëve të grumbulluar, duke theksuar se kriteri kryesor në përzgjedhje ka qenë forma sportive dhe minutazhi i futbollistëve me klubet respektive.
Në prononcimin e tij, tekniku italian u ndal edhe te mungesat në skuadër, duke theksuar se mosgrumbullimi nuk do të thotë se lojtarët e lënë jashtë nuk kanë cilësitë e duhura për të ndihmuar ekipin.
“Jam bazuar shumë te forma dhe minutazhi që lojtarët kanë pasur me klubet e tyre. Nëse mungon ndonjë lojtar, kjo nuk do të thotë se nuk është i aftë për të ndihmuar skuadrën”, u shpreh Maran.
Trajneri kuqezi foli edhe për statistikat e Shqipërisë në Ligën C, duke evidentuar ecurinë pozitive të ekipit në aspektin ofensiv dhe defensiv. Sipas tij, Shqipëria renditet e para për pritshmëritë e golave të shënuar, si dhe për numrin më të ulët të golave të pësuar.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte Ivan Balliu. Maran bëri të ditur se mbrojtësi ka pasur probleme fizike prej kohësh dhe se vendimi për t’u tërhequr nga Kombëtarja ka qenë zgjedhje personale e futbollistit.
Sa i përket portierit Thomas Strakosha, trajneri zbuloi se ai nuk është ende në gjendjen optimale fizike.
“Nuk është në 100% të gjendjes së tij. Nëse do ta aktivizonim, do ta vendosnim në vështirësi”, deklaroi tekniku italian.
