Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dhënë detaje rreth përzgjedhjes së futbollistëve për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.
Tekniku italian bëri të ditur se në hartimin e listës ka pasur në konsideratë kryesisht formën sportive dhe minutazhin e lojtarëve me klubet e tyre.
Gjatë prononcimit të tij, trajneri u ndal edhe te situata e Ivan Balliut, duke sqaruar se tërheqja nga Kombëtarja ka qenë një vendim personal i mbrojtësit, i ndikuar edhe nga dëmtimi që e ka shqetësuar prej kohësh.
“Kur bëj një listë mendoj, jam i bindur se është lista e duhur, nuk do thotë që kush nuk është në listë nuk mund të ishte i aftë për të qenë i gatshëm, për të dhënë një kontribut për këtë fanelle. Kam marrë në konsideratë formën, përtej Elsit, për arsyet që i dimë. Jam munduar të shoh minutazhin, se mendoj se në këto ndeshje kemi nevojë për lojtarë që janë në formë, që janë mirë dhe në formë të mirë.
Për të përmirësuar këto statistika, unë kam marrë shënime… jemi të parët në çdo të dhënë në Ligën C. Në të gjithë Ligën C jemi të parët me gola në favor, jemi ata që kemi pësuar më pak aksione kundër, të parët jemi edhe me gjuajtjet në portë. Ndaj si ta përmirësojmë? Duhet të jemi më konkret dhe kapitalizojmë atë që krijojmë, por do të mundohemi që t’i përmirësojmë këto të dhëna nëse është e mundur.
Sa i përket Balliut, ka qenë zgjedhja e tij për të hequr dorë nga Kombëtarja. Ka një dëmtim që e shqetëson dhe ka vështirësi me klubin, ndaj ka vendosur të heqë dorë nga kjo aventurë.
Sa i përket Strakoshës, kemi qenë vazhdimisht në kontakt, nuk është në 100% dhe duhet të punojë ndaj është vendosur që të rikuperojë, pasi të ngutej do të ishte e rrezikshme”. – ka thënë ai ndër të tjera.













