Lorent Tolaj, sulmuesi shqiptar i Bristol Cityt, është përfshirë në listën rezervë të Zvicrës. Kjo lëvizje duket se konfirmon zgjedhjen e tij për të përfaqësuar kombëtaren zvicerane, megjithëse për të kishin interesim edhe Kosova dhe Shqipëria.
Trajneri Murat Yakin ka grumbulluar 28 futbollistë për ndeshjet e fundit të këtij muaji në Ligën e Kombeve. Zvicra do të përballet me Slloveninë dhe Skocinë në dy takimet e saj të fundit të këtij viti në këtë garë.
Të lidhura
None found
Pas suspendimit, Granit Xhaka kthehet në rolin e liderit. Në skuadër janë përfshirë sërish edhe Breel Embolo, Miro Muheim, Ruben Vargas dhe Denis Zakaria, të cilët, së bashku me Xhakën, kishin munguar në kampin e mëparshëm për arsye të ndryshme.
Përveç grupit të grumbulluar, “Helvetikët” kanë bërë publike edhe listën e lojtarëve rezervë. Mes tyre është 25-vjeçari Tolaj, me prejardhje nga Kosova, i cili po paraqitet me sukses për Bristol Cityn në Championship, përcjell Telegrafi.
Në listën rezervë figurojnë gjithashtu futbollistët shqiptarë Uran Bislimi dhe Kastriot Imeri.
Më parë, Tolaj ka luajtur për përfaqësueset U17, U18 dhe U19 të Zvicrës. Në 11 ndeshje me këto grupmosha, ai ka shënuar 11 gola.








