Një ngjarje e pazakontë ka përfshirë mbrojtësin e Newcastle United, Amar Dedic, i cili është vënë në qendër të një operacioni të madh policor në Northumberland të Anglisë, pasi u pa duke mbajtur një hark dhe shigjeta në një zonë rurale. Sipas raportimeve të “Daily Mail”, futbollisti boshnjak 24-vjeçar dhe një mik i tij u pikasën pranë një rezervuari në zonën e Harlow Hill, duke shkaktuar shqetësimin e një qytetari, i cili njoftoi autoritetet.

Policia reagoi me të paktën gjashtë automjete, mes të cilave edhe njësi të armatosura. Dedic dhe shoku i tij u ndaluan më vonë në zonën e Darras Hall, rreth 11 kilometra larg vendit ku ishin parë fillimisht. Oficerët kontrolluan automjetin dhe sekuestruan harkun dhe shigjetat, ndërsa futbollisti u mor në pyetje për aktivitetin e tij.

Në një zhvillim të çuditshëm, në vendngjarje mbërritën edhe portieri i Newcastle, Mark Gillespie, si dhe ish-mbrojtësi i klubit, Paul Dummett, të cilët ndodheshin rastësisht në atë zonë dhe ndaluan për të ofruar ndihmë. Policia konfirmoi se kishte marrë një njoftim rreth orës 13:55 të së mërkurës, për dy persona që mbanin hark dhe shigjeta pranë një rezervuari në rrugën Military Road. Sipas raportimeve, Dedic dhe miku i tij dyshohet se kishin qëlluar me shigjeta gjatë qëndrimit në natyrë, megjithëse nuk dihet se çfarë kishin pasur në shënjestër. Në Angli, gjuetia e kafshëve dhe shpendëve me hark dhe shigjeta është e ndaluar me ligj.

Megjithatë, futbollisti nuk pritet të përballet me masa disiplinore nga Newcastle, pasi autoritetet nuk konstatuan rrezik për publikun dhe pajisjet u konsideruan të destinuara për argëtim. Dedic iu bashkua Newcastle gjatë verës nga Benfica, në një transferim që raportohet të ketë kushtuar rreth 30 milionë paundë. Mbrojtësi i djathtë boshnjak është aktivizuar në 10 ndeshje në të gjitha kompeticionet këtë sezon, duke regjistruar katër asistime.