Me firmë të 32 deputetëve opozita i kërkon Gjykatës Kushtetuese të pezullojë dhe më pas të shfuqizojë paketën e qeverisë kundër dhunës në protesta, 2 aktet normative dhe një VKM. Në një konferencë të posaçme, Gazment Bardhi i quajti masat e qeverisë arbitrare që shkelin të drejtat e njeriut dhe i kërkoi ndërkombëtarëve të mos heshtin.
“Kjo nuk është një përpjekje për t'i dhënë imunitet askujt që shkel ligjin. Dhe nuk është një kundërshtim ndaj detyrimit të shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Është një betejë për të mbrojtur Kushtetutën nga një qeveri që, në mënyrë të rreme, gjoja në emër të rendit publik, kërkon të zgjerojë kompetencat e veta përtej kufijve kushtetues, me një qëllim, të shuaj më dhunë zërin e qytetarëve, të asgjësoje në praktikë një të drejtë kushtetuese, të drejtën për të protestuar.
Sepse në një shtet demokratik, rendi publik nuk mund të vendoset kundër lirive themelore. Siguria nuk mund të përdoret si justifikim për arbitraritetin. Dhe pushteti nuk mund të vendosë vetë se cilat të drejta mund të ushtrojnë qytetarët dhe cilat duhet t'u hiqen. Ajo që kemi sot përpara nuk është një ndërhyrje e izoluar ligjore. Janë tri akte që, të marra së bashku, krijojnë një mekanizëm të papranueshëm, antikushtetues dhe arbitrar, për kufizimin e protestës, ndëshkimin e organizatorëve dhe kontrollin e qytetarëve që përfshihen në tubime”, tha Bardhi.
Sa i takon Aktit Normativ që ndryshon ligjin për tubimet, Bardhi thotë se cenon drejtpërdrejt të drejtën për të protestuar.
“Nuk mund të jetë e pranueshme që Policia të marrë kompetenca që, për nga natyra dhe pasojat e tyre, i përkasin pushtetit gjyqësor. Nuk mund të pranojmë që një qytetar të largohet nga një zonë, të kufizohet në lëvizjen e tij dhe të përballet me pasoja të tilla pa garancitë e nevojshme procedurale dhe pa kontroll efektiv gjyqësor. Policia duhet të zbatojë ligjin. Nuk mund të jetë njëkohësisht polici, prokurori dhe gjykatë”, thotë Bardhi.
Ndërsa me aktin normativ që parashikon dëmshpërblimin e bizneseve, kreu i grupit parlamentar demokrat thotë se “qeveria i vendos mbi kokë organizatorëve të protestave kërcënimin e një përgjegjësie financiare për veprimet e protestuesve të veçantë”
“Me këtë akt, qeveria ka ndërtuar një mekanizëm që rrezikon të vendosë përgjegjësi kolektive për veprimet e individëve. Akti parashikon përgjegjësi solidare për dëmet e shkaktuara gjatë tubimeve, duke krijuar mundësinë që përgjegjësia të shtrihet edhe te organizatorët dhe organizatat. Kjo është një ndërhyrje me pasoja të rënda për demokracinë”, vijon ai.
Ndërsa regjistri i zi që do të ketë në përbërjen e tij emrat e protestuesve të dhunshëm, sipas Bardhit, po ndërtohet pa një bazë të qartë ligjore:
“Ky mekanizëm mund të çojë deri në refuzimin e daljes së një personi nga territori i Republikës së Shqipërisë, edhe kur ndaj tij nuk ekziston një masë sigurimi e vendosur nga gjykata që kufizon lëvizjen”, thekson Bardhi.
Demokrati i kërkon edhe ndërkombëtarëve të mos heshtin.
“Heshtja përballë cenimit të lirive themelore nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të kthehet në mbështetje të heshtur për abuzimin me pushtetin”, vijoi demokrati.
Për të dhënë shpjegime mbi zbatimin e këtyre masave, veçanërisht vendosjen së gjobave në rrugë, PD ka thirrur në dëgjesë edhe kryepolicin Skënder Hita.
Kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi duke iu përgjigjur gazetares së Report Tv, Danjela Maloku në lidhje me progress-raportin e KE-së për Shqipërinë, tha se e kishte lexuar, veçanërisht për pjesën e protestave.
“E kam lexuar progres- raportin, si një qëndrim të Komisionit Eur. Policia e Shtetit i ka lënduar gjatë ushtrimit të detyrës edhe ju që jeni këtu (gazetarët). Kemi parë protestues me kafka të çara, me këmbë të thyera. Kjo dhunë duhet të dënohet. Aktet që ka miratuar qeveria bie ndesh me çdo standard europian, bie ndesh me konventën europiane për të drejtat e njeriut dhe angazhimet ndërkombëtare që Shqipëria ka në fushën e të drejtave të njeriut. Periudha e raportit nuk i mbulon datën kur janë miratuar aktet nga qeveria dhe prandaj i bëj thirrje të bëjnë një vëzhgim më të thelluar. Ne kemi qenë dëshmitarë që janë goditur protetues që kanë qenë paqësorë”, tha Bardhi.
Kreu i grupit Parlamentar Gazment Bardhi në konferncën për shtyp tha se anëtarët e opozitës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut kanë kërkuar që të thirret për të dhënë llogari për shkeljen e ligjit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder në lidhje me protestat.
“Anëtarët e opozitës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut kanë kërkuar zyrtarisht që të thirret për të dhënë llogari për shkeljen e ligjit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita. Ai duhet të përgjigjet përpara Kuvendit për përdorimin e Policisë së Shtetit si Polici të Partisë dhe Pushtetit.
Qeveria duhet ta kuptojë se nuk mund ta luftojë kundërshtimin qytetar duke kufizuar të drejtat e qytetarëve. Nuk mund ta mbrojë rendin publik duke dobësuar shtetin e së drejtës. Nuk mund të pretendojë se mbron demokracinë, ndërkohë që krijon mekanizma që i bëjnë qytetarët të kenë frikë të protestojnë, të flasin dhe të kundërshtojnë”, tha Bardhi.










Komente
Komento