Politika nuk i kushton vëmendjen e duhur Gjeneratës Z

Në mbarë botën, të rinjtë po dalin në rrugë sepse janë të pakënaqur me jetën e tyre dhe perspektivat për të ardhmen. Gjithçka nisi në Nepal, Madagaskar dhe Marok,më pas protestave iu bashkuan të rinjtë në Francë dhe Shqipëri. Në fund të tetorit, për herë të parë u zhvilluan protesta në mbarë Gjermaninë. Në më shumë se 30 qytete, dhjetra mijëra të rinj të së ashtuquajturës “Gen Z”, pra Gjenerata Z, dolën në rrugë në protesta kryesisht paqësore. Sot ata janë afërsisht nga 14 deri në 29 vjeç.
Kërkesat e tyre në Gjermani ndryshojnë disi nga ato të të rinjve në vende të tjera. Këtu, Gjenerata Z kërkon të tërheqë vëmendjen te gjendja e sistemit shkollor dhe arsimor, kostot e larta të jetesës dhe rritja e qirave, si dhe proteston kundër rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Sipas sondazhit të fundit ARD-Deutschlandtrend, gati tre në katër qytetarë gjermanë shprehin mirëkuptim për këto kërkesa, megjithëse me disa kufizime.
Pjesëmarrja në demonstrata konsiderohet nga shumica si një mjet i ligjshëm për të shprehur qëndrime politike. Ndërsa përdorimi i dhunës kundër objekteve apo personave gjatë demonstratave kundërshtohet pothuajse unanimisht, edhe nga personat nën 35 vjeç (93 për qind). Për bllokimin e rrugëve dhe trafikut, si dhe pushtimin e institucioneve publike, siç ka ndodhur në Francë, vlerësimi është më i prerë. Shumica e qytetarëve gjermanë i kundërshton këto forma proteste. Ndër votuesit më të rinj, megjithatë, përkrahja dhe kundërshtimi janë thuajse në ekuilibër.
Instituti i sondazheve infratest-dimap intervistoi 1297 gjermanë me të drejtë vote nga 2 deri më 4 nëntor për ARD-Deutschlandtrend. Sondazhi është përfaqësues.
A janë të rinjtë të disavantazhuar? Shumica mendon se po
82 për qind e të anketuarve mendojnë se interesat dhe shqetësimet e të rinjve në Gjermani merren pak ose aspak parasysh nga politika. Nëse shihen edhe preferencat partiake, dalin në pah dallime të dukshme: 30 për qind e votuesve të partive konservatore CDU/CSU mendojnë se kërkesat e të rinjve merren mirë ose shumë mirë parasysh. Ndër përkrahësit e Partisë së Majtë vetëm katër për qind mendojnë kështu.
Nëse merret parasysh edhe mosha, më pak se një në dhjetë nga personat nën 35 vjeç është i kënaqur me mënyrën se si politika trajton problemet e të rinjve.
Megjithatë, të rinjtë pothuajse nuk kanë fare besim se partitë qeverisëse, Unioni CDU/CSU dhe Socialdemokratët, janë në gjendje t’i zgjidhin problemet e tyre. Ndër personat nën 35 vjeç, vetëm pesë për qind e konsiderojnë Unionin kompetent dhe vetëm tre për qind SPD-në. Partia e Majtë arrin në 29 për qind, ndërsa Alternativa për Gjermaninë (AfD) në 21 për qind.
CDU/CSU dhe SPD: Pak kompetencë për qiratë, arsimin dhe klimën
Edhe në fushat politike që janë të rëndësishme për të rinjtë, partitë qeverisëse vlerësohen dobët nga personat nën 35 vjeç. Në politikën e mjedisit dhe klimës, nëntë për qind e konsiderojnë Unionin CDU/CSU kompetent, ndërsa SPD-ja arrin vetëm në dy për qind. Për angazhimin në favor të drejtësisë sociale, Unioni merr katër për qind dhe SPD-ja 17 për qind. Vetëm shtatë për qind besojnë se Unioni mund të bëjë diçka kundër rritjes së qirave dhe 11 për qind kanë këtë besim te SPD-ja. Në politikën shkollore dhe arsimore, dhjetë për qind e konsiderojnë Unionin kompetent dhe 12 për qind SPD-në.
Shumica e qytetarëve gjermanë mendon se brezi i sotëm i të rinjve e ka më të vështirë se brezat e mëparshëm të krijojë mirëqenie.
Shërbimi ushtarak përçan Gjeneratën Z
Ndër temat e protestave të Gjeneratës Z janë edhe rregullat për shërbimin vullnetar ushtarak, të cilat janë në fuqi që nga fillimi i vitit. Të gjithë të rinjtë meshkuj të lindur nga viti 2008 e tutje i nënshtrohen sërish kontrollit mjekësor për shërbimin ushtarak dhe janë të detyruar të plotësojnë një pyetësor për motivimin dhe përshtatshmërinë e tyre. Aktualisht, secili mund të vendosë vetë nëse dëshiron ta kryejë vullnetarisht shërbimin ushtarak apo jo.
Në përgjithësi, pothuajse dy të tretat e qytetarëve gjermanë i konsiderojnë të drejta rregullat e reja. Megjithatë, nëse përgjigjet ndahen sipas moshës së të anketuarve, shfaqen dallime. Sa më të rinj të jenë të anketuarit, aq më shumë e kundërshtojnë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në grupmoshën mbi 64 vjeç, 72 për qind e konsiderojnë rregulloren të drejtë. Ndër personat nën 35 vjeç janë vetëm 48 për qind.
Qeveria federale mbetet jopopullore, AfD forca më e madhe
Pothuajse nuk ka ndryshime në sondazhin aktual ARD-Deutschlandtrend për sa i përket klimës politike në nivel federal. Vetëm 11 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me punën e qeverisë federale. Vetëm 12 për qind e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht punën e kancelarit Friedrich Merz. Nëse zgjedhjet për Bundestagun do të zhvilloheshin tani, CDU/CSU dhe SPD së bashku nuk do të kishin më shumicën.
Unioni CDU/CSU do të merrte 20 për qind të votave, mbi tetë pikë përqindjeje më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. SPD-ja aktualisht do të merrte 13 për qind.
Partia më e fortë do të ishte AfD-ja, e cila në disa pjesë të saj klasifikohet si e ekstremit të djathtë, me 27 për qind. Të Gjelbrit do të merrnin 16 për qind dhe Partia e Majtë 11 për qind. Të gjitha partitë e tjera do të mbeteshin nën pragun prej pesë për qind dhe, rrjedhimisht, nuk do të hynin në Bundestag. Mes tyre janë FDP-ja dhe BSW-ja, me nga tre për qind secila./DW




