
Ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, ka prezantuar tri prioritetet kryesore të bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe luftën kundër krimit ndërkombëtar.
Në një mesazh drejtuar shqiptarëve, Wendt bëri të ditur se gjatë muajve të ardhshëm Ambasada Amerikane do të kryejë një proces vlerësimi për të përcaktuar drejtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Mesazhi:
Mirë se ju gjej! Jam Eric Wendt, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë.
Teksa nis detyrën si ambasador i SHBA-së në Shqipëri, dëshiroj të falënderoj Presidentin Trump dhe Sekretarin Rubio për besimin e tyre. Gjithashtu, dua të falënderoj popullin shqiptar për përzemërsinë me të cilën i ka pritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë shërbimit tim të mëparshëm ushtarak përkrah Forcave Speciale shqiptare, si edhe gjatë udhëtimeve të mia të mëparshme nëpër Shqipëri, ku kam takuar qytetarë të thjeshtë shqiptarë, e kam përjetuar personalisht se shqiptarët janë njerëz jashtëzakonisht mikpritës, punëtorë dhe krenarë.
Gjatë muajve të ardhshëm, nën drejtimin tim si ambasador, Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të kryejë një vlerësim që do të na ndihmojë të përcaktojmë rrugën tonë përpara. Në kuadër të këtij vlerësimi, pres me kënaqësi të udhëtoj në vende të ndryshme të Shqipërisë.
Siç është praktikë e zakonshme diplomatike, do të zhvilloj takime të shumta me drejtuesit e ndryshëm politikë që ju keni zgjedhur, si edhe me zyrtarë të qeverisë suaj, drejtues ushtarakë, përfaqësues të biznesit, drejtësisë dhe fushave të tjera. Gjithashtu, pres me kënaqësi të takohem me qytetarë të thjeshtë amerikanë dhe shqiptarë.
Së bashku, do të diskutojmë si për mënyrat e deritanishme, ashtu edhe për mënyra të reja e krijuese, që të bashkëpunojmë me efektivitet në të ardhmen, duke u përqendruar në tri fusha kyçe me përfitim të ndërsjellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërinë.
E para është të bëhemi më të fortë. Bëhemi më të fortë kur ndërtojmë kapacitete reale mbrojtëse dhe përmbushim pjesën e përgjegjësive që na takon si aleatë.
E dyta është të bëhemi më të begatë. Do të gjejmë mënyra për të zgjeruar tregtinë, investimet dhe mundësitë, me përfitime të ndërsjella për amerikanët dhe shqiptarët.
E treta është të bëhemi më të sigurt. Do të punojmë së bashku kundër krimit ndërkombëtar dhe për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta.
Ndërsa kryejmë këtë proces vlerësimi gjatë muajve të ardhshëm dhe përcaktojmë rrugën përpara drejt një ardhmërie më të fortë, begatë dhe më të sigurt, pres gjithashtu me kënaqësi të mësoj më shumë për popullin shqiptar, për historinë tuaj krenare dhe të përjetoj edhe një herë mikpritjen tuaj legjendare.
Ndihem vërtet i nderuar dhe i bekuar që kam mundësinë të shërbej në Shqipëri si ambasador i Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një histori të përbashkët të fuqishme, miqësi dhe respekt të thellë të ndërsjellë. Së bashku, mund të arrijmë rezultate konkrete.
Ecim së bashku! Shkojmë së bashku.