Aktualitet

Kërkohej nga Italia, arrestohet në Vaun e Dejës 71-vjeçari i dënuar me 9 vite burg!

Një 71-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane u arrestua në Vaun e Dejës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi Kol Ndoj ishte dënuar me 9 vite burg për veprën penale të shfrytëzimit seksual dhe prostitucionit.

Policia e Shtetit njofton se arrestimi u krye në kuadër të një tjetër faze të operacionit të koduar “Fast”, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Ndoj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Napoli, me vendim të datës 23 prill 2021, e ka dënuar me 9 vite burgim për veprën penale “Shfrytëzimi seksual/Prostitucioni”.

Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.