Një seri sulmesh të armatosura ka tronditur perëndimin e Turqisë, ku tetë persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Krimi i rëndë u regjistrua në provincën Afyonkarahisar, ndërsa policia turke ka arrestuar personin e dyshuar si përgjegjës për vrasjet.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat vendase, ngjarja ndodhi të enjten dhe u shtri në disa zona rurale të provincës. Trupat e viktimave u zbuluan në vendndodhje të ndryshme, kryesisht brenda automjeteve, duke ngritur dyshime se sulmet ishin kryer në mënyrë të njëpasnjëshme.
Tre persona u gjetën të pajetë pranë fshatit Ayazini, ndërsa tre viktima të tjera u zbuluan në afërsi të Kiyir. Një tjetër skenë krimi u regjistrua në Yukaritandir, ku dy gra u gjetën me plagë të rënda nga armët e zjarrit. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, ato nuk arritën të mbijetonin dhe ndërruan jetë në spital.
Mes tetë personave që humbën jetën raportohet se ndodheshin edhe dy mësues.
Menjëherë pas raportimeve për të shtënat, forca të shumta policore u mobilizuan për të lokalizuar autorin e dyshuar, i cili ishte larguar nga zonat ku kishin ndodhur vrasjet.
Autoritetet vendosën postblloqe dhe kufizuan qarkullimin në rrugët që lidhin fshatrat e përfshira në ngjarje, ndërsa kontrollet u shtrinë edhe në provincat përreth.
Një rol në rindërtimin e lëvizjeve të të dyshuarit kanë pasur edhe regjistrimet e kamerave të sigurisë. Në pamjet e transmetuara nga mediat turke shfaqet një person me xhaketë të zezë, pantallona të bardha dhe syze, i cili mban një armë të gjatë pranë një furgoni me ngjyrë të kuqe.
Gazeta turke “Milliyet” raportoi se automjeti që dyshohet se ishte përdorur nga autori u gjet më vonë i ngecur në baltë. Sipas të njëjtave raportime, i dyshuari e kishte braktisur mjetin dhe kishte vijuar largimin në këmbë.
Pas një operacioni kërkimi, policia njoftoi arrestimin e tij në provincën Eskişehir, duke i dhënë fund ndjekjes që kishte mobilizuar forca të shumta të rendit.
Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin e sulmeve dhe për të sqaruar nëse viktimat kishin lidhje me njëra-tjetrën apo ishin shënjestruar për arsye të ndryshme.
Autoritetet turke nuk kanë bërë ende publike të gjitha rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë, e cila ka shkaktuar tronditje në komunitetet ku ndodhën vrasjet.
