“Raketa” Pilos ka ndezur kronometrat, kilometrat e jashtëzakonshëm në Champions dhe shpejtësia e tij marramendëse

6 Nëntor 2026
10:28
Alfred Lleshi
back button

AEK-u u dorëzua vetëm në fund të ndeshjes kundër Real Madridit, duke humbur 3-2 në xhiron e katërt të fazës së ligës në Champions League. Deri në minutën e 92-të, skuadra greke kishte në duar një pikë të artë, por Valverde, me një goditje predhë, shënoi golin e fitores për madrilenët. Megjithatë, një nga protagonistët e AEK-ut ishte Stavros Pilos, i cili, pas golit kundër Manchester City, gjeti rrugën e rrjetës edhe ndaj Realit.

Në minutën e 75-të, pas një aksioni të bukur të Koitës nga krahu i majtë, mbrojtësi i majtë shqiptar mori pasimin dhe me një goditje të ulët mposhti Courtois, duke rikthyer avantazhin e AEK-ut në 2-1. Mbrojtësi 25-vjeçar i kombëtares shqiptare është shndërruar në një nga lojtarët më aktivë të skuadrës, duke përshkuar pa ndërprerje krahun e tij, si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese.

Shifrat e katër ndeshjeve të para në Champions League dëshmojnë gjendjen e tij të shkëlqyer fizike. Pilos ka përshkuar gjithsej 44.61 kilometra, me mesatare prej 11.15 kilometrash për ndeshje. Ja kilometrat e Pilos në Champions League:

  • AEK – LASK: 11.09 km
  • Shakhtar – AEK: 9.95 km
  • Manchester City – AEK: 11.95 km
  • AEK – Real Madrid: 11.62 km

Një motor i vërtetë. Përveç kilometrave të përshkuar në çdo ndeshje, Pilos spikat edhe për shpejtësinë. Rekordi i tij i shpejtësisë maksimale në këtë kompeticion është 32.91 km/orë, i regjistruar në ndeshjen kundër Manchester City. Kjo mbetet shpejtësia më e lartë që ka arritur deri tani në aventurën europiane të këtij sezoni.

Pikërisht në atë takim, ai regjistroi edhe distancën më të madhe të përshkuar në një ndeshje: 11.95 kilometra. Për saktësi, të dhënat për shpejtësinë maksimale pasqyrojnë rekordin personal të çdo futbollisti në kompeticion dhe përditësohen vetëm kur ai arrin një rezultat të ri.

Një shembull është Arold Mukoudi, i cili në ndeshjen e 4 nëntorit kundër Real Madridit arriti shpejtësinë maksimale prej 31.18 km/orë, duke përmirësuar rekordin e mëparshëm prej 30.2 km/orë, të vendosur kundër Manchester City. Ndryshe nga ai, Pilos vazhdon të mbajë rekordin personal prej 32.91 km/orë, të regjistruar kundër skuadrës angleze.

Mbrojtësi kamerunas ka përshkuar gjithsej 37.57 kilometra në katër ndeshjet e AEK-ut në Champions League. Pilos ka vrapuar 7.04 kilometra më shumë se Mukoudi, një diferencë që pasqyron edhe kërkesat e ndryshme të dy pozicioneve, por mbi të gjitha rolin fizikisht shumë kërkues të mbrojtësit shqiptar në skuadrën greke.

“E shkatërroi Mbappén, as Messi nuk i ka bërë këto gjëra”; rrjetet sociale i përulen Pilos pas Real Madridit

Lajme të tjera

Lajmet e fundit