Zbatimi i dobët i ligjeve dhe korrupsioni minojnë klimën e biznesit në Shqipëri. Kështu thotë raporti i progresit vjetor i Komisionit Europian në pjesën që flet për ekonominë e tregut dhe mundësitë e zhvillimit të sipërmarrjes. Sipas vlerësimit të Komisionit, veç zbatimit të dobët të ligjit në terren, apo keqinterpretimit dhe shtrembërimit të dispozitave të tij problematike është edhe aksesi i kufizuar te burimet financiare për bizneset e vogla dhe të mesme. Në lidhje me sipërmarrjet ku shteti është aksioner, Komisioni thekson si problematikë mungesën e kapaciteteve dhe paaftësinë shtetërore për të mbikëqyrur dhe zhvilluar këto sipërmarrje.