E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shkatërrohet rrjeti kriminal, kaluan ilegalisht mbi 500 emigrantë nga Shqipëria në Greqi
Lajme

Shkatërrohet rrjeti kriminal, kaluan ilegalisht mbi 500 emigrantë nga Shqipëria në Greqi

10 në pranga, mes tyre një shqiptare!

Një organizatë kriminale që dyshohet se organizonte kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Shqipëria drejt Greqisë është goditur nga autoritetet greke në një operacion të zhvilluar në bashkëpunim me Europolin. Në pranga kanë përfunduar 10 persona, mes tyre edhe një shtetase shqiptare 33-vjeçare.

Operacioni policor u zhvillua në zonat e Selanikut dhe Thesprotisë, pas një hetimi që zbuloi përmasat e aktivitetit të paligjshëm dhe mënyrën se si funksiononte rrjeti kriminal.

Nga të dhënat e hetimit rezulton se organizata kishte arritur të organizonte të paktën 41 kalime të paligjshme të kufirit, duke transportuar më shumë se 500 emigrantë nga Shqipëria drejt territorit grek. Aktiviteti dyshohet se kishte nisur që në qershor të vitit 2025 dhe kishte vijuar përmes një skeme të organizuar të kalimit të kufirit.

Sipas autoriteteve, emigrantët udhëtonin fillimisht në këmbë, duke përdorur shtigje malore për të shmangur kontrollet kufitare. Pasi kalonin kufirin, ata merreshin nga pjesëtarë të rrjetit dhe transportoheshin drejt qyteteve të ndryshme në Greqi.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se një pjesë e emigrantëve përfundonin duke punuar në mënyrë të paligjshme, pa dokumentacionin e nevojshëm për qëndrim dhe punësim në Greqi.

Përfitimet financiare nga kjo veprimtari kriminale vlerësohen në të paktën 750 mijë euro, shumë që dyshohet se është siguruar përmes organizimit të kalimeve të paligjshme të qindra personave.

Gjatë ndërhyrjes së policisë u arrestuan edhe 21 emigrantë që nuk dispononin dokumentacionin e rregullt të qëndrimit. Autoritetet sekuestruan automjete, shuma parash, telefona celularë dhe pasaporta, të cilat mund të shërbejnë si prova për dokumentimin e aktivitetit të organizatës.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht mënyrën e funksionimit të rrjetit, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë pasur rol në organizimin dhe realizimin e trafikimit të emigrantëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.