Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë ka miratuar Marrëveshjen e Mekës për mbrojtjen e ndërsjellë mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite, duke përmbyllur procedurat e brendshme të ratifikimit në të tre vendet.

Marrëveshja parashikon që një sulm i armatosur nga jashtë ndaj njërit prej tre shteteve të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve, duke aktivizuar detyrimin për mbështetje të ndërsjellë ushtarake.

Ankaraja ka sqaruar se çdo ndihmë ushtarake ndaj Arabisë Saudite do të ketë karakter mbrojtës, ndërsa dërgimi i trupave turke jashtë vendit do të kërkojë një miratim të veçantë nga Parlamenti.

Gjatë debatit parlamentar, deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) argumentuan se marrëveshja synon forcimin e sigurisë rajonale dhe nuk drejtohet kundër asnjë shteti të tretë.

Nga ana tjetër, opozita shprehu shqetësime për detyrimet që mund të marrë përsipër Turqia dhe rrezikun e përfshirjes në konfliktet e Lindjes së Mesme. Përfaqësues të CHP-së kërkuan garanci të qarta për kontrollin parlamentar, ndërsa deputetë të tjerë ngritën pikëpyetje mbi ndikimin gjeopolitik të marrëveshjes.

Marrëveshja do të hyjë zyrtarisht në fuqi pas depozitimit të instrumenteve përkatëse të ratifikimit nga të tre shtetet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: