35.15 miliardë lekë do të jetë fondi i akorduar për infrastrukturën rrugore në vitin 2027. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se dy projekte madhore, autostrada Tiranë-Durrës dhe aksi Tiranë-Ndroq-Plepa, do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit, me synimin për të përshpejtuar punimet dhe përfundimin e tyre.
“35.15 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore në vitin 2027. Ky është fondi që buxheti i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zhvillimin e rrugëve. Por, përtej shifrës, çfarë do të thotë kjo konkretisht? Dy projekte madhore, autostrada Tiranë–Durrës dhe aksi Tiranë–Ndroq–Plepa, do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit, duke krijuar kushtet për përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër”, tha ministri.
Një tjetër projekt që do të përfitojë nga skema e re e financimit është bypassi i Elbasanit, i cili, sipas Karakaçit, do të mbështetet tashmë përmes buxhetit të shtetit. Sa i përket projekteve strategjike, në fokus të investimeve për vitin 2027 do të jenë Korridori VIII dhe Korridori Blu. Për këtë të fundit, Karakaçi bëri të ditur se projekti Kashar-Rrogozhinë pritet të nisë në fund të këtij viti, ndërsa për segmentet Lekaj-Fier dhe Milot-Balldren po punohet për nënshkrimin e kontratave dhe finalizimin e projekteve të zbatimit.
“Ndërkohë, një tjetër vepër e rëndësishme, bypassi i Elbasanit, kalon tashmë në një skemë të re financimi, përmes buxhetit të shtetit, duke i dhënë një perspektivë të re vijimit dhe realizimit të këtij projekti. Viti 2027 sjell gjithashtu një shtysë të rëndësishme për projektet që janë në proces zhvillimi. Në fokus do të jenë Korridori VIII dhe Korridori Blu, i cili po merr jetë përmes projekteve koncensionare, Kashar – Rrogozhinë, punimet e të cilit nisin në fund të këtij viti, Lekaj – Fier dhe Milot – Balldren, për të cilët jemi afër nënshkrimit të kontratës që i hap rrugën finalizimit të projektit të zbatimit, për të nisur nga puna”, bën me dije Ministri.
Buxheti parashikon gjithashtu financimin e projekteve të reja, mes të cilave hyrja veriore e Tiranës, që do të shmangë qarkullimin përmes Kamzës, rruga Berat-Skrapar dhe hyrja verilindore e kryeqytetit, që do të lidhë Tiranën me Rrugën e Arbrit. Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar po përgatit projekte të tjera, për të cilat do të shqyrtohet mundësia e financimit. Bëhet fjalë për rrugët Koplik-Bogë-Theth, Rruga e Vjosës dhe lidhjen Rrëshen-Mirditë.
“Nuk mungojnë projektet e reja, siç janë hyrja veriore e Tiranës që tashmë bypass-on Kamzën, apo rruga Berat-Skrapar, si dhe hyrja verilindore e Tiranës që bën lidhjen ndërmjet Tiranës dhe Rrugës së Arbrit, të cilat po ashtu financohen përmes këtij buxheti. Ndërkohë ARRSH po finalizon dhe po vazhdon punët për të bërë projekte të reja rrugësh. Kemi në proces 3 rrugë që do të shihet mundësia për ti financuar, Koplik-Bogë-Theth, Rruga e Vjosës dhe lidhja Rrëshen – Mirditë. Objektivi ynë është i qartë. Të ndërtojmë një infrastrukturë rrugore moderne, më të sigurt dhe më të qëndrueshme, që përmirëson lidhjen mes qyteteve dhe rajoneve dhe forcon integrimin e Shqipërisë me rrjetet evropiane të transportit. Ky është një buxhet që nuk mbështet vetëm investimet e vitit 2027, por edhe vizionin dhe strategjinë tonë afatgjatë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri”, tha Ministri Infrastrukturës dhe Energjisë”, deklaron Karakaçi.










