Belgjika ashpërson politikat e emigracionit, miratohet ligji për kontrollet policore në banesat e emigrantëve

Parlamenti i Belgjikës ka miratuar një ligj të debatueshëm që i lejon policisë të kryejë kontrolle në banesat e emigrantëve pa dokumente, të cilët nuk kanë zbatuar urdhrin e autoriteteve për t’u larguar nga vendi.
Masa është pjesë e përpjekjeve më të gjera të qeverisë së koalicionit të djathtë, të drejtuar nga kryeministri Bart De Wever, për të kufizuar emigracionin dhe për të shtuar dëbimet e personave që nuk kanë marrë të drejtën e qëndrimit në Belgjikë.
Ligji ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe avokatët, të cilët paralajmërojnë se lejimi i policisë për të hyrë në banesat private në kuadër të zbatimit të ligjit të emigracionit mund të cenojë të drejtat kushtetuese dhe privatësinë e qytetarëve.
Rreth 3 mijë persona formuan të mërkurën pasdite një zinxhir njerëzor përreth Pallatit të Drejtësisë në Bruksel, në shenjë proteste kundër ligjit. Sipas mediave belge, më shumë se 50 protesta dhe tubime të tjera u organizuan edhe në qytete të ndryshme të vendit.
Ligji u miratua nga shumica parlamentare rreth orës 05:00 të mëngjesit, sipas orës lokale, pas një debati të gjatë që zgjati gjatë gjithë natës.
Kontrollet në banesa do të kufizohen vetëm për personat të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Belgjikë, që kanë injoruar urdhrat për t’u larguar nga vendi dhe që konsiderohen kërcënim për sigurinë publike.
Përpara se të kryhen, kontrollet duhet të marrin miratimin e një gjyqtari hetues. Ato do të lejohen vetëm në orarin nga 05:00 deri në 21:00, me praninë e zyrtarëve të shërbimit të emigracionit.
Para votimit, organizata Amnesty International u bëri thirrje deputetëve që të votojnë kundër ligjit. Sipas organizatës, masa mund të prekë edhe personat që ndihmojnë emigrantët pa dokumente.
Nga ana tjetër, qeveria belge e ka mbrojtur ligjin, duke argumentuar se ai synon të mundësojë zbatimin e urdhrave të dëbimit për personat që konsiderohen të rrezikshëm për rendin publik ose sigurinë kombëtare.




